TIRANE – Aktori Bruno Shllaku e quan Gramoz Ruçin, sfinksin e Partisë Socialiste. Për më shumë, lexoni intervistën e tij dhënë gazetarit Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”.
Çfarë ndodh, zoti Shllaku, që ju keni këtë afeksion për zotin Rama?
Nëse i referohem Frojdit, nëse njeriu nuk ka patos ose nuanca të fshehta, atëherë është qenie e rëndomtë. Rama mua më emocionon shumë, e them vërtetësisht: ndihem i privilegjuar që është kryetari im. Unë i admiroj njerëzit që dinë të flasin, kemi jashtëzakonisht pak të tillë.
Ma bëtë mishin kokrra-kokrra. Çfarë ka ndodhur?
Ç’mund të ndodhte?! Nuk më kanë falur ndonjë pallat 50-katësh. Absolutisht jo.
E keni njohur Ramën më parë?
E kam njohur si basketbollist, si artist.
Cilat janë cilësitë më të mira të tij?
Edi është burrë.
Si e keni provuar burrërinë e tij?
Burrërinë e Edit e kam provuar në disa raste nga fusha e basketbollit. Shumë burrë! Një burrë në sheshet dhe pavijonet ku je përballë njerëzve ku nuk dinë se ç’flasin. Aty tregohet burrëria, shpeshherë edhe me heshtje. Në mënyrë burrërore ai i ka kaluar sikur të mos ishin.
Në 33 kryeministra që ka shteti shqiptar, Fan Noli dhe Edi Rama janë artistë. Si kryeministër Noli dështoi me sukses. A ke merak që fatin e artistit Fan Noli mund ta ndjekë edhe Rama?
Nuk duhet të ngatërrojmë epokat. Nuk krahasohen legjionët e Romës me marinsat amerikanë. Në kohën e Nolit ishin kushte jashtëzakonisht të errëta, jo bardhezi, por errësirë plus errësirë.
A gjen krahasim mes Ramës dhe Nolit? Noli përkthente në zyrë, Rama bën piktura…
Është njësoj sikur të gjykoj profesorin tim të ndjerë Kadri Roshi se fatin e kujt do të kishte po të mos gjuante peshk. Ndërsa në historiografinë e politikanëve shqiptarë, Rama ka një kënd të veçantë, atë të novatorit, në gjithçka, në parti, në Shqipëri. Ai e bëri Tiranën për të jetuar njerëzit.
Nga se ndryshon Edi Rama nga Sali Berisha?
Absolutisht nuk ka asnjë ndryshim nga Sali Berisha. Berisha ka një figurë totalisht të vetën, Edi Rama është një figurë tjetër.
A e vlerësoni Berishën?
Nëse nuk e vlerësoj, i bie të mos jem shqiptar. E vlerësoj deri aty ku meriton të vlerësohet.
Keni treguar një histori me babain e ministrit të Jashtëm, Sul Bushatin kur ka qenë sekretari i parë dhe ai iu ka dhënë të drejtë, kur dikush ka thënë se e lë teserën e partisë nëse ju vazhdoni të kishit role?
Bëhej fjalë që unë të mos afrohesha fare fizikisht në teatër. Unë të gjitha rolet i kam për shkak të kësaj historie me Sul Bushatin. Ajo ka qenë historia më rrëqethëse e jetës sime. Të jeni të bindur që Sul Bushati ka një galeri të tërë që iu ka bërë ndere njerëzve, ai e meriton atë mbiemër të madh. Unë do t’i jem mirënjohjes Sul Bushatit deri në vdekje. Ai kurrë mos u bëftë, por nëse do të ketë nevojë, unë do t’i jap edhe gjakun tim. Ai njeri më ka vënë në piedestalin e teatrit “Migjeni”. Është nder që unë edhe sot e kësaj dite eci me emrin e teatrit “Migjeni”.
Si iu duk fjala e zoti Ruçit në kongresin e Partisë Socialiste?
Nuk dua ta komentoj atë si njeri, por do ta përmbyll që është një politikan i mirëformatuar, ai është sfinks i Partisë Socialiste.
A do ta kishe thënë këtë kur ai ishte ministër i Brendshëm?
Po ta them sërish, ai ka ardhur në Shkodër, ka kërkuar të falur në shumë vende dhe e ka sqaruar pozicionin e vet, dhe përderisa nuk ka pasur reagime, këto që vijnë mbrapa….
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: