NGA KLODIANA LALA
TIRANE
-Tre punonjësit e Bankës së Shqipërisë të caktuar nga prokuroria për të kryer inventarizimin në Thesarin e Shtetit, aty ku u krye dhe supervjedhja, sot kanë afatin e fundit për t’i dorëzuar raportin organit të akuzës. Por, koha prej më shumë se 20 ditësh, duket se nuk u ka mjaftuar ekspertëve të Bankës së Shqipërisë për ta kryer këtë inventarizim. Burime të besuara nga Banka Qendrore, bëjnë me dije se inventarizimi në Thesar nuk është arritur të kryhet e, kësisoj, raporti për prokurorinë, edhe nëse dorëzohet një i tillë, pa diskutim që do jetë i mangët dhe jo në ndihmë të hetimit të çështjes. Mundësitë janë të mëdha që ekspertët e BSH-së të kërkojnë zgjatje të afatit, për të kryer të gjitha detyrat që u janë dhënë nga prokurorët që po hetojnë për skandalin e vjedhjes. Nuk dihet ende se cili do të jetë vendimi i prokurorisë, po ajo që mund të theksohet, është se ky raport është një dokument mjaft i rëndësishëm dhe me vlerë provuese për pasojat e rënda që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit nga akti kriminal i ndodhur në Thesar.

Inventarizimi në Thesar
Që në momentin e parë që u vetëdorëzua, Ardian Bitraj u ka rrëfyer eprorëve, se kishte vjedhur në Arkën Stok dhe Arkën për Veprim, një shumë prej afro 700 milionë lekësh. Pak ditë pas daljes në dritë të skandalit të vjedhjes në Thesar, Banka e Shqipërisë, deklaroi se pas kryerjes së inventarit, rezultonte se shuma e vjedhur kap shifrën e 713 milionëve, shumë e cila përkonte me atë që kishte deklaruar vetë i dyshuari kryesor i krimit. Duke pasur dyshime të forta, se në Departamentin e Emisionit ishin vjedhur më shumë para sesa u deklaruan nga Banka e Shqipërisë, e cila në aq pak kohë nuk mundej kurrsesi të kryente inventarizimin e saktë, prokuroria e Tiranës urdhëroi që paratë në Thesar të numëroheshin nga e para, me qëllim që të përcaktohej shuma e saktë që ishte zhvatur. Për të përmbushur këtë detyrë u caktuan tre ekspertë, që janë që të tre punonjës të Bankës së Shqipërisë. Në fakt, inventarizimi duhet të kryhej nga ekspertë të jashtëm dhe të pavarur, por për mungesë të certifikatave të sigurisë, që do t’u jepnin mundësinë të depërtonin në një prej katër ambienteve të institucionit më të lartë financiar në vend, nga prokuroria u vendos që të caktoheshin tre punonjës të BSH-së. Secili prej tyre u paraqit në prokurori, mori detyrat dhe u betua për korrektësi e profesionalizëm në përmbushjen e tyre, si dhe mbajtjen e përgjegjësisë ligjore nëse kryen shkelje. Prokuroria u la afat ekspertëve më shumë se 20 ditë dhe sot, data 10 dhjetor, konsiderohet dhe momenti i fundit kur ata duhet të dorëzojnë raportin.

Skandali i vjedhjes
Në korrik 2014, Banka e Shqipërisë njoftoi se kishte denoncuar në prokurori dy ish-punonjës të saj për abuzime financiare. Nga hetimet rezultoi se në Departamentin e Emisionit, kishte ndodhur një vjedhje e përmasave të mëdha. Të dyshuar për vjedhjen janë Ardian Bitraj, kolegia e tij Mimoza Bruzia dhe nipi i Bitrajt, Klevis Bejtaj. Skandali i vjedhjes dërgoi prapa hekurave dhe shumë zyrtarë të lartë të Bankës Qendrore, si dhe ish-guvernatorin Ardian Fullani e ish-inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi. Për 14 ish-zyrtarët e parë po vijon procesi në Gjykatën e Tiranës, mes të cilëve ndodhet dhe Golemi, e cila, sipas një vendimi të fundit, do të gjykohet me një grup prej 4 të pandehurish, pasi pjesës tjetër iu pranua gjykimi i shkurtuar. Për ish-guvernatorin po vijojnë hetimet në një çështje të veçantë. Ndërsa Bitraj, Bruzia dhe Bejtaj, të cilët dyshohen dhe për vjedhjen e Thesarit, po hetohen më vete.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb