Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE –Të pandehurit e akuzuar për përfshirje në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, përveç dënimit penal rrezikojnë të kthehen në debitorë të shtetit. Banka e Shqipërisë pritet t’i drejtohet gjykatës së Tiranës, me një padi për shpërblim dëmi, duke paditur pikërisht ish-zyrtarët që do të cilësohen fajtorë nga drejtësia. Në këtë proces, banka qendrore do të mbështetet nga Avokatura e Shtetit, e cila, përgjatë gjithë procesit të hetimit të dosjes dhe mandej gjatë gjykimit, ka ndërmjetësuar duke marrë informacion nga prokuroria e gjykata për llogari të Bankës së Shqipërisë. Sipas ligjit, prokuroria, brenda shtatë ditëve nga depozitimi i kallëzimit, në rastet kur i është shkaktuar dëm shtetit, informon Avokaturën e Shtetit.
“Prokuroria e Përgjithshme e ka njoftuar zyrtarisht Avokaturën e Shtetit, për ngjarjen e ndodhur në Bankën e Shqipërisë, ku në Thesarin e Shtetit u vodhën 713 milionë lekë. Gjatë hetimit të çështjes, Avokatura e Shtetit ka bërë dy kërkesa për informacion, lidhur me shumën e dëmit që pretendohej se ishte shkaktuar në Thesar dhe për emrat e personave të dyshuar si përgjegjës”, tha një burim nga prokuroria. Ndërsa zyrtarë të Avokaturës së Shtetit, thanë se nuk u njoftuan nga prokuroria për këtë rast, por me kërkesë të Bankës së Shqipërisë, kanë ndërhyrë si ndërmjetës, duke marrë akte nga organi i akuzës për llogari të bankës. Madje, zyrtarë të Avokaturës, folën për një ngërç të krijuar mes bankës dhe prokurorisë për rastin në fjalë, por nuk dhanë detaje të thelluara lidhur me këtë çështje.

“Avokatura e Shtetit do ta asistojë Bankën e Shqipërisë, në procesin civil që pritet të hapë për shpërblim dëmi. Por, ende nuk është ndërmarrë hap konkret, pasi gjithçka varet nga vendimet që do të japë drejtësia, për të pandehurit që janë në proces”, saktësoi burimi. I njëjti zyrtar sqaroi se do të paditen, ish-zyrtarët që do të gjenden fajtorë dhe që në vendim do të cilësohet se nga veprimet apo mosveprimet e tyre i është shkaktuar dëm shtetit.

Skandali i vjedhjes

Për skandalin e vjedhjes në Thesar, që doli në dritë më 21 korrik 2014, pas vetëdenoncimit të Ardian Bitrajt, ende nuk ka ndonjë vendim drejtësie. 17 ish-zyrtarët e Bankës së Shqipërisë e Thesarit të Shtetit, si dhe nipi i Ardian Bitrajt, janë duke u përballur me drejtësinë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Departamentin e Emisionit, në tri procese të ndara. Dhjetë prej të pandehurve, me në krye Dorian Çollakun, ish-drejtor i Departamentit të Emisionit, janë në pritje të vendimit të gjykatës, në një kohë që për secilin prej tyre prokuroria ka kërkuar dënim me burg. Ish-inspektorja e Përgjithshme e BSH-së, Elivar Golemi dhe katër ish-zyrtarë të tjerë, po gjykohen me procedurë të zakonshme, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Nën akuzën e vjedhjes së Thesarit në bashkëpunim, do të japin llogari para drejtësisë, Ardian Bitraj, kolegia e tij, Mimoza Bruzia dhe nipi i Bitrajt, Klevis Bejtaj. Bitraj, është i vetmi që ka pranuar vjedhjen e 713 milionë lekëve dhe se i ka humbur të gjitha në loto sporti.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb