Nga: KLODIANA LALA*
Dyshimet se në Thesarin e Shtetit janë vjedhur më shumë se 713 milionë lekë, detyruan Prokurorinë e Tiranës të urdhërojë një inventarizim të plotë, për të përcaktuar saktësisht shumën e vjedhur. Prej disa ditësh, një grup prej tre ekspertësh, janë paraqitur në prokurori, duke marrë detyrat e caktuara dhe duke bërë betimin se do ta kryejnë detyrën konform ligjit. Por në fakt, kush janë njerëzit që do të kryejnë këtë inventarizim në institucionin më të lartë financiar në vend. Burime të besuara për “GSH” thanë se ekspertët që do të kryejnë inventarizimin në Departamentin e Emisionit ku ndodhi skandali i vjedhjes, që dërgoi pak ditë në pranga dhe ish-guvernatorin Ardian Fullani, janë punonjës të Bankës së Shqipërisë dhe ish-vartës të tij. Emrat e tyre mbahen sekret, por mësohet se tre ekspertë, zyrtarë të lartë në Bankën e Shqipërisë, disponojnë certifikata sigurie dhe ushtrojnë detyrat në një departament tjetër, pa ndonjë lidhje me Departamentin e Emisionit ku ndodhi vjedhja, që në dosjen e prokurorisë, thuhet se nga një veprim i tillë, janë cenuar rëndë interesat e shtetit. “Janë ekspertë ndër më të mirët në vend, që njohin fushën e bankingut, që kanë leje të posaçme që mund të hyjnë në ambientet e Bankës së Shqipërisë në vendet e ruajtjes së parave, për më tepër që mbajnë përgjegjësi ligjore për aktet që prodhojnë”, tha një burim nga prokuroria. “GSH” ka mësuar gjithashtu se një prej numëruesve të parave në Thesar, është një person me lidhje te afërta gjaku me një deputete të Partisë Demokratike. Gjithsesi, tre numëruesit, ish-vartës të Ardian Fullanit, duhet të thotë fjalën e fundit, nëse në Thesarin e Shtetit, janë vjedhur vetëm 713 milionë lekë, aq sa ka deklaruar i dyshuari kryesor Ardian Bitraj, apo shuma është më e lartë sesa dyshohet.
Inventarizimi
Tre numëruesit, prej disa ditësh kanë nisur punën për të kryer inventar të plotë në Arkën Stok dhe Arkën për Veprim, ku ndodhi vjedhja. Pak ditë pas vetëdenoncimit të Ardian Bitrajt, në korrik 2014, Banka e Shqipërisë, njoftoi zyrtarisht se në Thesarin e Shtetit, ishte vjedhur një shumë prej 713 milionë lekësh, e cila ishte e njëjtë me atë që kishte deklaruar vetë i dyshuari kryesor, Bitraj. Duke dyshuar për një shumë më të madhe parash të vjedhur nga Thesari, prokuroria ka urdhëruar një tjetër inventarizim në Departamentin e Emisionit. Ekspertëve u la një afat prej afro një muaji për të numëruar paratë, çka është një kohë e pamjaftueshme, për ta bërë një gjë të tillë, pasi burime të besuara nga prokuroria, thanë se në Thesar ndodhen të paktën 900 paleta metalike të mbushura me lekë, të cilat nëse numërohen një nga një, do të duhen muaj për t’i përfunduar. Në fakt ekspertët kanë marrë detyra specifike nga prokuroria dhe janë paralajmëruar se do të përgjigjen penalisht, nëse nuk e kryejnë si duhet detyrën, e kjo nisur mbase dhe nga fakti se janë ish-vartës të ish-guvernatorit, Ardian Fullani, që ndodhet ende nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria është në pritje të këtij akti, për të shkuar më pas drejt mbylljes së hetimeve, për Ardian Bitrajn, kolegen e tij, Mimoza Bruzia dhe nipin e Bitrajt, Kleves Bejtaj, të cilët dyshohen për vjedhjen e Thesarit. Ndërkaq, për ish-inspektoren e përgjithshme, Elivar Golemi dhe 14 ish-zyrtarë të lartë në Bankës së Shqipërisë, ka nisur procesi penal në Gjykatën e Tiranës dhe ndaj tyre rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: