TIRANE- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.25%. Në mbledhjen e sotme, Këshilli vendosi edhe miratimin e rishtypjes së monedhës metalike shqiptare, me kurs ligjor, me prerje 20 Lekë.

Ky vendim synon plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me këto monedha metalike për një periudhë disa vjeçare.

Një tjetër vendim i miratuar në mbledhjen e sotme, ishte miratimi i disa ndryshimeve në paketën e akteve nënligjore që trajtojnë administrimin e aktiveve në Bankën e Shqipërisë.

“Ndryshimet në aktet nënligjore që trajtojnë administrimin e aktiveve në Bankën e Shqipërisë, kanë rishikuar proceset përkatëse në të gjitha hallkat, duke filluar që nga hyrja në Bankë, inventarizimi i tyre, nxjerrja jashtë përdorimit dhe asgjësimi, si dhe procedura e zhdëmtimit. Rishikimi është konceptuar tërësor, me qëllim përmirësimin apo plotësimin e çdo procesi më vete dhe njëkohësisht në harmoni me njëri-tjetrin. Ato adresojnë njëkohësisht edhe çështje të dala nga praktika, për të evituar boshllëqe apo paqartësi të mundshme gjatë implementimit”, thuhet në njoftimin e BSH.

Në fjalën e tij para mediave, guvernatori i BSH, Genti Sejko tha se gjatë këtij viti është regjistuar një rritje e konsumit dhe ulje e papunësisë, duke i cilësuar si tregues pozitivë.

“E parë nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike u mbështet nga forcimi i kërkesës së brendshme, në përgjigje edhe të përmirësimit të konsumit familjar, ndërkohë që aktiviteti tregtar me jashtë dha një kontribut negativ në rritje. Konsumi dhe investimet private kanë mbajtur peshën kryesore në rritjen ekonomike. Zgjerimi i tyre është mbështetur nga përmirësimi i besimit, nga rritja e punësimit dhe shfrytëzimi më i lartë i kapaciteteve prodhuese, si dhe nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte. Paralelisht me to, politika monetare lehtësuese ka krijuar kushte favorizuese për stimulimin e konsumit dhe për financimin e investimeve”, tha Sejko.

Duke folur për ecurinë në vijim, Sejko tha se “Sipas parashikimit të Bankës së Shqipërisë, aktiviteti ekonomik i vendit do të vijë në rritje gjatë kësaj periudhe dhe ekonomia shqiptare do të rikthehet në ekuilibër gjatë vitit 2017. Rritja ekonomike do të udhëhiqet nga konsumi dhe investimet private, ndërkohë që aktiviteti tregtar me jashtë parashikohet të luajë një rol dytësor në rritje dhe politika fiskale pritet të mbetet në kahun konsolidues.

Kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe stabilizimi i ambientit të jashtëm do të krijojnë kushte për një rritje progresive të inflacionit në afatin e mesëm. Inflacioni vjetor pritet të shënojë vlerën 2.3% pas katër tremujorësh dhe të kthehet në objektiv gjatë vitit 2018”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: