TIRANE- Këshilli i Mbikqyrjes i Bankës së Shqipërisë ka marrë tre vendime në mbledhjen e kësaj të mërkure ku mes të tjerave janë edhe disa ndryshime në rregulloren ““Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”. Sipas njoftimit të BSH këto ndërhyrje konsistojnë në disa aspekte. “Këto ndryshime synojnë shtimin e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane të kësaj fushe. Ndryshimet e miratuara, krahas disa kërkesave për bankat, parashikojnë dhe të drejtën e konsumatorit për të kërkuar konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat, si dhe shtimin e një shembulli ilustrues, që banka duhet t’ia vendosë në dispozicion konsumatorit si pjesë të informacionit parakontraktor, në rastet kur ai aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të tij” thuhet në njoftimin e Bankës.

Një tjetër vendim i miratuar nga Këshilli i Mbikqyrjes është ai për deklaratën dhe raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2017.

“Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në ekonominë reale dhe tregun financiar, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017, mbështetën zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar në vend. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë ishte më i kufizuar, ku evidentohet përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së portofolit të kredisë në të gjithë elementet përbërëse. Ekspozimi ndaj rreziqeve të tjera është në nivele të administrueshme, por ka nevojë të vlerësohet në mënyrë të kujdesshme në vijimësi. Si rezultat, mundësitë e sektorit bankar për të zgjeruar më tej ndërmjetësimin financiar dhe përmirësuar treguesit e eficiencës së veprimtarisë, janë përmirësuar. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet e veprimtarisë, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit të mirë dhe përfitueshmërisë, mbetet e plotë. Në vijim të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm”, nënvizon banka.

Vendimi fundit lidhet me miratimin e rregullores “Mbi planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme”.

Sipas Bankës së Shqipërisë rregullorja përcakton përmbajtjen e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, procesin e vlerësimit të aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë, si dhe identifikon kategoritë kryesore të informacionit të nevojshëm për hartimin e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga autoriteti vendimmarrës./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb