TIRANË- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku shqyrtoi dhe miratoi “Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014” dhe “Deklaratën e Stabilitetit Financiar” për të njëjtën periudhë, si pjesë të tij.

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2014, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Vëllimi i aktivitetit është zgjeruar dhe situata financiare është përmirësuar me tej.

Në sektorin bankar, treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sektorit, gjatë periudhës dhe në vijim, paraqiten në nivele të kënaqshme. Cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar në fund të vitit, ndonëse niveli i kredive me probleme vazhdon ende në nivele të larta. Mbulimi me provigjione dhe kolateralizimi i kredisë me probleme është në nivele të mira.

Kuadri makroekonomik është paraqitur i qëndrueshëm, duke mbështetur ecurinë e sistemit financiar. Përmirësimi i rritjes ekonomike dhe veprimet e politikës fiskale dhe të asaj monetare, janë shoqëruar me një funksionim të mirë të tregjeve financiare dhe ulje të kostove të financimit.

Megjithatë, rreziqet në veprimtarinë e sistemit financiar dhe të sektorit bankar, si nga ndërveprimi me mjedisin ekonomik rrethues të brendshëm dhe të jashtëm, ashtu edhe nga struktura e veprimtarisë së tij, mbeten të pranishme, ashtu siç provohet edhe nga ushtrimi i provës se rezistencës. Rreziku i kreditit mbetet shqetësimi kryesor. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë, së bashku me Qeverinë Shqiptare dhe në bashkëpunim me FMN-në, do të angazhohet në nismën për të rishikuar procesin e administrimit dhe të zgjidhjes së kredive me probleme, në të gjitha aspektet e tij, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë e të qëndrueshme. Në këtë bashkëpunim, Banka e Shqipërisë do të jetë aktive, në kuadër të rolit të saj si autoritet mbikëqyrës dhe marrëdhënies që ka me industrinë bankare.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tjera, të tregut dhe të likuiditeti, vlerësohet i kufizuar, ndonëse Banka e Shqipërisë kërkon nga bankat që vlerësimi i këtyre rreziqeve prej tyre të behet rregullisht.

Në vazhdim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi dhe miratoi ndryshimet e propozuara në lidhje me: Rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja”.

Këto ndryshime u realizuan me qëllim shfuqizimin e përdorimit të teknikave të zbutjes së rrezikut të kredisë nga bankat, për qëllime të provigjionimit, ndërkohë që këto teknika tashmë njihen nga autoriteti dhe trajtohen plotësisht në dispozitat e rregullores “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”. Ato do të përdoren nga bankat për qëllime të zbutjes së rrezikut të kredisë, në funksion të llogaritjes së vlerës së ekspozimeve dhe të nevojave për kapital, për monitorimin e rrezikut të kredisë;

Rregulloren “Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja”.

Këto ndryshime u realizuan me qëllim përshtatjen e kërkesave të autoritetit për publikimin e informacionit nga bankat, sipas kërkesave të reja të rregullores “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”, në funksion të rritjes së transparencës dhe nxitjes së disiplinës së tregut.

Inkurajimi i disiplinës së tregut, nëpërmjet plotësimit në vazhdimësi të kërkesave për publikimin e informacionit, i lejon aktorët e tregut të vlerësojnë informacionin e paraqitur mbi kapitalin, ecurinë financiare, ekspozimin ndaj rrezikut, vlerësimin dhe administrimin e rrezikut etj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: