Punësimi në ekonomi shënoi një rritje mesatare vjetore prej 2.9% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2017, ka pohuar Banka e Shqipërisë në raportin e saj vjetor. Pavarësisht ecurisë pozitive, kjo rritje ishte më e ngadaltë se rritja prej 6.8% e shënuar në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Rritja e punësimit u përcaktua kryesisht nga rritja e të punësuarve në sektorin e shërbimeve. Kjo rritje ka sjellë rënien e mëtejshme të shkallës së papunësisë. Shkalla e papunësisë qëndroi në nivelin 13.6% në tremujorin e tretë të vitit 2017, ose rreth 1.1 pikë përqindje poshtë vlerës së shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, thekson BSH.

Konsumi privat në rritje
Zgjerimi i kërkesës së brendshme dhe i aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2017 është mbështetur nga rritja e investimeve dhe e konsumit privat, sipas raportit.

Kërkesa e brendshme u zgjerua me 4.3% gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2017. Kontributet kryesore kanë buruar si nga investimet ashtu edhe nga konsumi i popullatës. Në rastin e investimeve, kontributi kryesor në rritje vlerësohet të ketë ardhur nga sektori publik, ndërkohë që kontributi i sektorit privat vlerësohet të jetë ngadalësuar. Në të njëjtën kohë, është vënë re një kontribut i shtuar i konsumit publik krahasuar me vitin 2016.

Lidhur me konsumin privat, Banka e Shqipërisë thekson se vijoi ciklin rritës gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2017. Ai u rrit me mesatarisht 2.5% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit.

Rritja e shpenzimeve konsumatore ishte më e ngadaltë në gjashtëmujorin e parë (+2.2%), por u përshpejtua në tremujorin e tretë të vitit (+3.3%). Rritja e shpenzimeve për mallra të qëndrueshme afatgjata dhe e shpenzimeve për shërbime vlerësohet se ka kontribuar në zgjerimin e konsumit privat. Rritja e punësimit dhe e pagave, përmirësimi i besimit konsumator, dhe kushtet e favorshme financiare, ishin faktorët kryesorë që mbështetën rritjen e shpenzimeve konsumatore.

Investimet, sërish të orientuara nga ndërtimi
Investimet në ekonomi u rritën me 9.8% gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2017, theksoi banka.
Gjatë tre viteve të fundit ky komponent ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e kërkesës agregate. Në rritjen e tij gjatë vitit të kaluar kontribuuan pozitivisht investimet në ndërtim dhe, në një masë më të vogël, edhe investimet në makineri dhe pajisje.

Faktorët kryesorë që mbështetën rritjen e investimeve private janë përmirësimi i besimit dhe i gjendjes financiare të bizneseve, rikuperimi gradual i kërkesës konsumatore, si dhe kostot e ulëta të financimit në sektorin bankar. Treguesit e besimit në sektorin e tregtisë dhe të ndërtimit kanë qëndruar shumë pranë mesatares historike gjatë vitit 2017, ndërsa në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve qëndrojnë mbi mesataren e tyre historike. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb