TIRANË- Ekonomia shqiptare shënoi përmirësim në gjysmën e dytë të vitit 2014, por presionet e përgjithshme inflacioniste mbetën të dobëta dhe inflacioni vazhdoi të qëndrojë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Parashikimet afatmesme dhe kthimi i inflacionit në objektiv mbeten të kushtëzuar nga rekuperimi i konsumit dhe investimeve private.
Në këto rrethana, me miratimin e kësaj deklarate, Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshme reduktimin e mëtejshëm të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 2.0%. Kjo lëvizje krijon kushte monetare të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv dhe të ekonomisë në ekuilibër në një horizont afatmesëm.

Ndonëse në rritje, kërkesa agregate është ende e pamjaftueshme për të siguruar shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë dhe për të gjeneruar rritje të qëndrueshme të punësimit, të pagave, të marzheve të fitimit dhe të çmimeve finale në ekonomi.

Duke reflektuar transmetimin e politikës monetare, kredia në lekë ka shënuar përmirësim gjatë dy tremujorëve të fundit. Megjithatë, transmetimi i plotë i politikës monetare në ekonomi vazhdon të vuajë nga hezitimi i bizneseve për t’u angazhuar në investime afatgjata dhe nga oreksi i ulët i sistemit bankar për të marrë përsipër rrezik.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se zhvillimet aktuale e të pritura të ekonomisë, ritheksojnë nevojën për ndjekjen e një politike monetare stimuluese. Presionet inflacioniste vazhduan të mbeten të ulëta në ekonomi, edhe gjatë tremujorit të katërt. Inflacioni mesatar i kësaj periudhe rezultoi në vlerën 1.3%, duke shënuar rënie krahasuar me tremujorin paraardhës dhe duke mbetur kështu, poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Në masën më të madhe, kjo tendencë u diktua nga rënia e theksuar e inflacionit në muajin dhjetor, si pasojë e rritjes së ngadaltë të çmimeve të ushqimeve dhe e reduktimit të çmimeve të naftës.

Duke analizuar ekonomitë e vendeve evropiane dhe të rajonit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konstaton se ekonomia italiane ka vazhduar në recesion në tremujorin e tretë të vitit. Ndërsa ekonomia e Greqisë ka dalë nga recesioni në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar një rritje tremujore pozitive për të parën herë që prej fillimit të krizës. Ekonomia turke ka vijuar të ngadalësojë ritmin e rritjes në tremujorin e tretë të vitit, duke treguar dobësimin e kërkesës së brendshme. Aktiviteti ekonomik në Maqedoni ka mbajtur ritëm zgjerues edhe në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas BSH-së, ekonomia e SHBA-ve ka përshpejtuar ritmin e rritjes në tremujorin e tretë të vitit, duke përforcuar idenë se ekonomia vendase ka kaluar një pikë kthese pas krizës ekonomike e financiare. Publikimi i fundit i Eurostat-it për rritjen ekonomike në Eurozonë për tremujorin e tretë paraqiti një rritje tremujore prej 0.2% dhe vjetore prej 0.8%. Përsa i përket ekonomisë botërore, ajo ka treguar ecuri pozitive dhe ritme më të larta rritjeje në gjysmën e dytë të vitit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb