Rukie Rama: “Nuk jam arrestuar si gjithë të tjerët, jam vjedhur dhe dërguar në Tiranë, ku në procesin tim, ishin 43 dëshmitarë të shitur, të cilët i kam takuar më pas”.

E dënuan për politikë se do të arratisej jashtë shtetit, kur diçka e tillë s’i kishte shkuar kurrë në mendje. Arrestimi i Rukie Ramës, në dimrin e ’75-ës, nuk i ngjante asnjë historie, nga ato që rëndom jemi mësuar të dëgjojmë gjatë regjimit, pavarësisht se u servir si e tillë. Motivi i prangosjes së mësueses së bukur të bjeshkëve të Tropojës, nuk lidhej me armiqësinë me sistemin. Rukie Rama, kishte rënë viktimë e një tjetër armiqësie: Kishte refuzuar t’i nënshtrohej një zyrtari të lartë të Sigurimit dhe kishte përfunduar në qelinë e shpagimit. Historia e saj përfundimisht, do të koleksionohej në një dosje nga ato të tipit ‘sekret’, me emra e ngjarje të trilluara, që nuk e përmbante askund të vërtetën e ndëshkimit.

Sidoqoftë, ajo, me forcën e karakterit të saj, mundi ta kapërcejë këtë e të ngrihet më e fortë, për ta denoncuar fuqishëm atë, që fate të tilla, të mos i përjetonin shoqet e saj. E ndëshkuara prej bukurisë dhe lakmisë së të plotfuqishmëve të sistemit, zbulonte një tjetër aspekt të panjohur, të karakterit pervers të përfaqësuesve të regjimit. Në një intervistë ekskluzive, Rukie Rama pranon të tregojë “dosjen” e vërtetë të dramës së saj, duke vënë gishtin te protagonisti që urdhëroi çeljen e dosjes-fantazmë, që do t’i rrëmbente ditët më të bukura të rinisë.

“Dosjen time e çeli Feçor Shehu, kur refuzova të shkoja një natë në shtrat, me një funksionar të lartë të Ministrisë së Brendshme”. Përtej debateve për hapjen e dosjeve, që ka përfshirë Tiranën kohët e fundit, Rukie Rama, përcjell nga Brukseli, ku jeton prej vitesh, mesazhin e trishtë se procesi tashmë, mund të jetë i pabesueshëm, jo vetëm për vonesat e tej zgjatura, por edhe për mënyrën komprometuese, si është operuar me to gjatë kësaj kohe nga autoritetet zyrtare…!

“Feçor Shehu, ka përdorur postin zyrtar, për favore seksuale”. Përtej kësaj akuze, që u dënua ndër të tjera, ish-Ministri i Brendshëm i regjimit komunist, Rukie Rama, tropojania që kaloi rininë në ferrin e burgjeve të diktaturës, rrëfen këtë ngjarje tronditëse, që hedh dritë mbi këtë ves bastard të ish-kreut të policisë sekrete të asaj kohe.

“Ishte ora dy e pasmesnate e 22 gushtit 1974”, – tregon ajo – kur më morën nga qelia dhe më çuan në një dhomë tjetër. Aty, bashkë me Operativin e zonës, u shfaq dhe Feçor Shehu, i cili sa më pa, urdhëroi të më hiqnin kapësen e flokëve. Sakaq u çua nga vendi ku ishte dhe m’u sul si qen i tërbuar. Nuk e di ku i gjeta forcat dhe ja hoqa krahët gjithë urrejtje. Tjetri që rrinte në këmbë, kur e pa se përpjekja e shefit, nuk pati sukses, u mundua të ftohë gjakrat. “Bushtër e keqe, keq e më keq, do vejë puna jote”, mërmëriti nëpër dhëmbë Feçori dhe hapi derën e u zhduk si hije.

Në vijim të intervistës nga numri i kaluar, Rukie Rama tregon rrethanat se si është arrestuar, rolin e ish-kreut të Sigurimit të Shtetit, në prangosjen e saj, profilin e 43 dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të fshehtë të policisë sekrete, me të cilët është përballur drejt për drejt, por jo vetëm gjatë procesit, përjetimet pas përballjes me ta pas daljes nga burgu, dhe brengat e shumta për rininë e humbur në qelitë e errëta të diktaturës komuniste…!

Zonja Rukie, në çfarë rrethanash jeni arrestuar dhe cila ka qenë akuza që ju kanë komunikuar, në momentin që ju kanë hedhur prangat?

Kjo është një nga pyetjet më të vështira, që mund t’i përgjigjem, pasi rrethanat janë sa komplekse, aq dhe të mistershme. Dy javë para se të arrestohesha, më thirrën zyrtarisht, për të komunikuar emërimin si drejtoreshë arsimi, në zonë.

Ishte koha kur po bëhej një riorganizim i arsimit dhe mua kjo detyrë, më dukej e vështirë, nga që shkollat në zonën e Bytyçit, ishin të shpërndara në terren, mjetet e qarkullimit ishin të pakta, dhe për një vajzë të re, nuk ishte e lehtë që të lëvizte në këmbë, pasi shkolla nga shkolla, ishin dy orë larg, duke filluar nga Paci, Kami, Berisha, e deri në Zogaj.

Për këtë arsye, e refuzova detyrën e re, pa ditur se çdo të ndodhte më tej. Atyre që ma ofruan, ju përgjigja se doja të shërbeja në shkollën e fshatit tim, edhe për një arsye personale, pasi nënën e kisha me probleme shëndetësore. Vetëm pak ditë më vonë, ndodhi ajo që nuk e prisja…!

Kush ua komunikoi urdhrin e arrestimit dhe si ndodhi kjo, në një kohë që vetëm pak ditë më parë, ju kishin propozuar një detyrë me përgjegjësi?!

Këtë çast nuk kam për ta harruar, deri sa të vdes. Ishte 17 gushti i vitit 1974. Bashkë me time motër, marrim rrugën për t’u bashkuar me familjen, që ishte në bjeshkë. Sikur Zoti t’a kishte bërë me plan atë takim, ishte ky rasti i vetëm, që grumbullohej e gjithë familja në Sulbicë. Lokja (nëna ime), na shtroi një darkë me gjithë të mirat.

Eh sikur ta dinim, se do ishte takimi i fundit, që rrinim së bashku atë natë, të ulur të gjithë në një sixhade, shkëmbyem biseda nga më të ndryshmet, kujtuam gjithçka të fëmijërisë, deri në të zbardhur. Ishim ballë për ballë Gjerovicës dhe puhia e erës, na dukej se na reflektonte në atë kthjellim të syve tanë, atë natë të paharrueshme. Te zbardhurit e ditës, na gjeti zgjuar.

Im vëlla Sadiku, si më i madhi i familjes, na propozoi, që drekën, ta hanim në rudinat e epëra, aty ku ishin liqenet e bjeshkës. Dhe kështu vepruam. Pra, data 18 gusht, u kthye në një festë familjare. Ishte ky takimi i fundit, ku festonim të gjithë bashkë, pasi tim vëlla, Sadikun, nuk e gjeta kur dola nga burgu, se kishte vdekur. Në momentin kur po zbrisnim nga rudinat te stani, komandanti i postës së kufirit, dërgoi dy ushtarë të më lajmëronin, se më kërkonin urgjent në “Bajram Curri”.

Nuk e di pse, por në moment, e gjithë ajo gjendje e gëzuar, na u prish dhe na u duk sikur një erë e keqe, u përhap gjithandej. Askujt nuk i shkonte mëndja, se bëhej fjalë për një kurth, të pabesë. Të nesërmen, më 19 gusht, mbi dhjetë here, erdhën sërish ushtarë të dërguar nga komandanti i tyre, duke përsëritur kërkesën dhe ultimatum, se duhej të zbrisja në “Bajram Curri”. Më datën 20 gusht, në ora 5 të mëngjesit, mora rrugën për aty, pa ditur se përse bëhej fjalë…!

Ju shkonte në mëndje, se ju kishin thirrur për t’ju arrestuar?

Ato çaste mund të paramendoja gjithçka, por se mund të më arrestonin, kurrë. Atë ditë, më përcolli im vëlla, Mehmeti, që banonte në Shkodër dhe mbaj mënd se duke u ndarë tek telat e Zogajve, më porositi: “Ki kujdes veten”. Sikur më dogji kjo fjalë, por s’kisha kohë të mendoja gjatë. Mora vrapin për të zënë bashkëfshatarët dhe bashkë me ta hymë në Tropojën e vjetër, aty nga ora 7 e mëngjesit. Sa mbërrita, shkuam të hamë mëngjes tek një mense ku shërbente një mbesë e familjes sonë. Në tavolinat pranë si rrallë herë tjetër, ishin ulur disa punonjës të Degës së Brendshme.

Hajria, një grua e bukur dhe shumë fisnike, erdhi e më takoj dhe si nën buzë, më tha: “Ça të ka ra moj çikë, gjithë ky nur sot”?! Bëmë porosinë dhe gjatë kohës që po hanim bukë, erdhi një nga këta operativët e Degës dhe me një përzemërsi të çuditshme, na takoi dhe na propozoi që të udhëtonim me një makinë të tyre, që po shkonte për në “Bajram Curri”!

Aty për aty, pranuam. Me ta shkuam deri në qytet. Sa zbrita, u nisa me nxitim, për të qenë në orar në takimin që më kishin caktuar. Ishte ora 10 e 30 e ditës së enjte, datë 20 gusht 1974.

Ngjis shkallët e Komitetit të Partisë, me kuriozitetin tundues, për të ditur arsyen e të thirrurit me kaq urgjencë, pasi unë nuk isha anëtare partie! Isha thjesht një mësuese, një profesioniste e thjeshtë, një aktiviste në të mirë të popullit e vendit tim. Një moment, sikur m’u plogështuan këmbët, sikur m’u drithërua zëmra dhe m’u hidhërua goja.

Nuk di se pse më erdhi kjo gjendje, nga e cila më shkundi, përballja me një prej burrave fisnikë të Tropojës, një lexues i jashtëzakonshëm i letërsisë, Sherif Malësia. “Drejtoreshë, zbrite nga Sulbica – më thotë – sa përshëndetemi, – paske sjellë me vete aromën e luleve të Gjerovicës”?!

I them; më kanë thirrur në Komitet, nuk e di arsyen pse?! “Sikur do të nisin me shërbim”, më tha dhe u ndamë. Njeri nga instruktorët që më njihte, sa më pa, më tha se më prisnin te zyra e Sekretarit të Parë. I bie derës dhe sa futem brenda, më shfaqet portreti i Sekretarit, në krah të së cilit, rrinte hijerëndë, kryetari i Degës së Brendshme të Tropojës.

Qysh në fillim, më presin me kritika, se gjoja kisha refuzuar detyrën, por pastaj e zbusin, duke më thënë se do të nisesha urgjent për në Tiranë, nga që do merrja diçka, për muzeun e “Bajram Currit”, që ishte duke u bërë. Për momentin u habita, por faktikisht kam qenë shumë e pasionuar për tema historike dhe para disa kohësh, kisha punuar me një koleg, për disa figura të Tropojës, megjithëse isha mësuese matematike.

Kur e kuptuat alibinë, për udhëtimin e papritur?

Sipas detyrës që më dhanë, shkova tek agjencia e udhëtarëve për të prerë biletë. Kur sportelistja e shërbimit më tha se ishin mbaruar, m’u afrua një punonjës i Degës së Brendshme, i gjendur aty “rastësisht”, që kishte punuar tetë vite në zonën time dhe pasi m’u afrua, m’u drejtua me një sjellje të shtirur: “Për ku e keni rrugën mësuese”?

E sqarova pa të keq. Ndërkohë, ai m’u afrua pranë dhe aty për aty, ma ktheu: “Të pret puna, apo e ke me urgjencë, se nesër do të udhëtojmë ne për në Tiranë, me një makinë të Degës”? Për një çast më erdhi mirë, por shpejt ndërrova mëndje dhe ja ktheva me shpoti: “Jo, faleminderit”.

Certifikata e virgjërisë që sfidoi Sigurimin e Shtetit…!

Procesi i Rukie Ramës, nuk ka qenë i lehtë për policinë sekrete, për vetë motivin e fshehtë për të cilin e kishin kryqëzuar. Pas 13 muajsh hetime, u shfaq sinjali i parë i alarmit. I ndodhur në një ditë të mirë, prokurori i çështjes do të deklaronte lajmin e keq: “Asnjë nga denoncimet në adresë të Rukie Ramës, nuk qëndron”! Kjo do të thoshte; liri për mësuesen e Pacit, që ishte arrestuar për agjitacion e propagandë.

Por zyrtarët që kishin urdhëruar arrestimin e saj, nuk mund të pajtoheshin me këtë. Më pas u ngrit një tjetër akuzë, për vajzën nga Tropoja. U gjet një dëshmitar, për të provuar në hetuesi, se kishte qenë prej vitesh, i dashuri i saj, dhe se në çaste intime me të, ishte njohur me qëllimin për t’u arratisur.

Këtë radhë, do të goditej krenaria, dinjiteti i vajzës malësore, që e ruan si gjënë më të shenjtë të jetës. Dhe do të kërkonte forcë për t’i bindur, se këtë të lajthitur, nuk e njihte fare, pa le të kishte bërë dashuri me të. Rukie Rama, do të këmbëngulte para hetuesve, se gjithçka ishte një trillim i poshtër.

Se ajo, jo vetëm nuk kishte dashuruar ende kërkënd, por ishte edhe një vajzë e virgjër. Mësuesja nga Tropoja, me gojën e saj, do të kërkonte analizat përkatëse, për t’i konfirmuar drejtësisë, të vërtetën, për të zbardhur intrigën e “të dashurit”. Për të mbërritur deri te çertifikata e virgjërisë, mësuesja e Pacit, duhej të kalonte të tjera peripeci. Teksa përshkruan ato, Rukie Rama kujton:

“Ishte ora 6:00 e mëngjesit e 20 janarit ’75, kur më morën nga qelia dhe lidhur duar e këmbë më hipën në ‘Gaz’-in e Degës. Në sediljen ku rrija, në të dyja anët më rrinin ngjitur dy punonjës të Sigurimit. Në vendin në krah të shoferit, rrinte ulur një funksionar i lartë i asaj kohe, kuptohet, i Degës së Brendshme.

Ishte ditë shumë e ftohtë, me borë, ngrica dhe akull. Isha nisur pa ngrënë asnjë gjë. Madje, nuk më lanë të merrja as një shishe me ujë me vete. Ecëm rrugëve të Qafës së Malit dhe kur arritëm në Tiranë, ishte ora 7:00 e darkës. Plot 13 orë, e lidhur duar e këmbë, e pangrënë dhe pa kryer asnjë nevojë personale.

Fillimisht filluan të nxihen duart, se këmbët nuk ndiheshin fare, por pastaj u nxinë komplet dhe u mpinë. Po shkoja të bëja ekspertizë, për nderin tim. Sa bukur tingëllon fjalë, që populli e përdor në momente të veçanta, kur sheh apo dëgjon diçka, që nuk shkon, “hapu dhe, e përpimë”! Gjatë gjithë rrugës, ata flisnin e qeshnin, si pa të keq.

Ndaleshin herë pas here, për të ngrënë bukë e, për të pirë kafe. Unë, gjithnjë e lidhur në makinë, si trung. Kështu derisa mbaroi kjo procedurë. Për disa ditë, duhej të bëhesha banore e burgut të Tiranës. Mbaj mend si tani një gardiane me zemër njeriu, që e thërrisnin Myrvete, e cila më ndihmoi, si vajzën e saj, me shumë përkujdesje dhe dashuri.

Gjithsesi, tërë këto sfilitje nga Tropoja në Tiranë, do t’ia vlenin. Ajo çertifikata e ardhur nga laboratori, do të rrëzonte dëshminë e bashkëpunëtorit të Sigurimit, të cilit i paskësha thënë në momente intime, se do të tradhtoja atdheun, e do të arratisesha. Tashmë ai dokument, që vërtetonte shkencërisht virgjërinë, do të binte si bombë, te të gjithë ata që kishin organizuar këtë kurth. Gjithçka këtë radhë, do të kthehej mbrapsht.

Po deri këtu, më kishte shkuar goxha. Sa herë kujtoj këtë dhimbje, më del para syve ajo malësorja, e cila kur ia patën vrarë të dy djemtë njëherësh, u ul në mes dy kufomave për t’i vajtuar dhe filloi të thoshte: “Nëna do jetojë o bir, se mendja paska rrënjë”.

E ndjej, pra, të arsyeshme, të them këtë shprehje, në ato momente, se vërtet mendja kishte rrënjë. E pra, ky karvan i vuajtjeve të mia, zgjati shumë vite, provova shumë tortura nga njerëz pa njerzillëk, nga njerëz pa shtyllë kurrizore, nga njerëz të pashpirt. E këta, kurrë dhe për asgjë, s’do të kërkojnë falje, se janë sadistë”, mbyll rrëfimin e saj, Rukie Rama./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb