“General & Playboy” është premiera më e re që do të ngjitet në Teatrin e Metropolit me regji të Bujar Kapexhiut, ndërsa asistent regjisore është Bruna Borova.

Premiera do të ngjitet në skenë më 30 mars me aktorët Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Suela Konjari, Xhevair Zeneli, Muharrem Hoxha, Edvin Mustafa, Ramela Koleci, Serxho Harizaj, Devin Koçeku, Elio Kapxhiu.

“General & Playboy” është një shfaqje aktuale ku flitet për psikologjinë, mentalitetin, pasionet, marrëdhëniet e njerëzve në kohët e sotme. Subjekti i saj, vërtitet rreth një gjenerali, të viteve para ardhjes së demokracisë; një kapteri dhe ky nga koha e diktaturës; dhe një biznesmeni, i ardhur nga provinca në kryeqytet. Midis dy ushtarakëve ndihet diferenca arsimore, sidomos me futjen në NATO, që e detyron gjeneralin në moshë, të nisë mësimet për gjuhën angleze, me mësuese private në shtëpi.

“Ideja për shkrimin e kësaj vepre ka lindur nga një ngjarje reale e fillimit të viteve ’90 kur dy vëllezër filluan të botojnë gazetën në atë kohë “Playboy”. Në të vërtetë babai i tyre ishte një ushtarak i rreptë, kolonel dhe kjo e vinte në kontradiktë me parimet. Por duke parë fitimet që vinin nga shitja e saj, i lind dëshira të kontribuoj edhe më shumë në këtë biznes. Unë kam kënaqësinë të rikthehem në Teatrin Metropol, pasi në këtë mjedis e kam nisur karrierën time artistike sapo kam mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve për regji, u emërova regjisor i Estradës së Tiranës. Në këto ambiente kam nisur aktivitetin në vitin 1968 – 1973. Në përgjithësi njeriu ka një cikël në jetë, për ta mbyllur i rikthehet edhe njëherë fillimit. Kështu po ndodh edhe mua, po i rikthehem edhe njehër skenës ku e nisa”, thotë regjisori Kapexhiu.

“General & Playboy” vjen si teatër realist, ku regjisori i është përmbajtur strukturës së shkrimit, duke u munduar që të ketë karaktere dhe situata, marrëdhënie midis personazheve.

Kontradikta kryesore në vepër dhe ajo që e bën më komike ngjarjen, është ballafaqimi dhe konflikti parimor për konceptin e moralit ndërmjet gjeneralit me konceptet e vjetëruara dhe nipit të tij me lirinë e shprehjes në demokraci, të cilën e konkretizon nëpërmjet një biznesi fitimprurës, botimin dhe shpërndarjen e një reviste erotike.
Në këtë sfond familjar është edhe ballafaqimi dhe paralelizmi midis gjeneralit që e largojnë nga detyra për motive qesharake dhe nga ana tjetër krushqia dhe miqësia familjare, që komshiun kapter e gradon në një post të rëndësishëm.

Komshiu quhet XHEMAL. Shkurt e thërrasin XHEMO. Ai emrin e tij e shkruan EMAL se nuk e mban mend germën XH dhe me ngritjen në përgjegjësi, si ushtarak i NATO-s vetëquhet XHEJMS. “Metamorfozë shumë komike kjo, që përshkon fillin e subjektit nga fillimi në fund të ngjarjes. Papunësia, mungesa e të ardhurave, pensioni qesharak, goditjet dhe presioni i moralit të ri dhe liberal e transformojnë gjeneralin demode dhe e detyrojnë të hyjë në rrjedhën e kohës, tashmë i ambalazhuar me koncepte të reja që i përshtaten më së miri ekonomisë së tregut.

Nga kundërshtar i ashpër e kategorik i kësaj reviste, ai në fund të komedisë merr përsipër shpërndarjen e kësaj reviste. Në ekonominë e tregut triumfon e reja” thotë regjisori. Vepra vjen si bashkëpunim i Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol), Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës dhe Yildiz Films & Theatër dhe do të jetë në skenë në datat 30, 31 mars si dhe 1 e 2 prill.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: