TIRANE-Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur sot ambasadoren greke në Tiranë në lidhje me vrasjen e ekstremistit grek Kostandinos Kacifa nga RENEA në Bularat të Gjirokastrës tre ditë më parë.

MEPJ bën me dije se ambasadores Eleni Surani iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen dhe se ngjarja po hetohet nga Prokuroria Shqiptare, e cila është institucioni i vetëm që kryen hetim të pavarur.

Njoftimi i plotë i MEPJ:

Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani u thirr sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ngjarjen e ndodhur në Bularat, Gjirokastër.

Ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë.

Ambasadores i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare. Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsëriti thirrjen për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb