TIRANE– Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit për ngjarjen në Bularat, ku mbeti i vrarë nga RENEA ekstremisti grek Kostandinos Kacifa, pas dyluftimit me policinë shqiptare.
Meta ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste dhe nevoja politike destruktive. Sipas presidentit kjo ngjarje e izoluar nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.
Gjithashtu presidenti Meta ka dënuar edhe parullën raciste të shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu.
Njoftimi i plote i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.
Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie.
Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.
Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.
Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke.
Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë.
(BalkanWeb)