Kryeministri, Edi Rama, e ka komentuar edhe një herë shfaqjen që dhuruan ekstremistët grekë gjatë ceremonisë së varrimit të Kostandinos Kaçifas në Bularat.

Kësaj radhe duke iu përgjigjur kritikave të komentuesve në rrjetet sociale për reagim të dobët të shtetit shqiptar përballë ngjarjes

Në rubrikën “Përgjigjia ime”, Rama shprehet: “Këta sedërlinj të mëdhenj në mendje dhe në gojë nuk dallojnë në këtë rast nga sivëllezërit dhe simotrat e atyre dordolecëve të pezmatuar hakërrues që e kthyen një ceremoni mortore në një shfaqje urrejtje”.

Për kryeministrin Rama, dashuaria për vendin tënd dhe e mira e popullit të cilit i përket nuk matet mesa shumë je në gjendje ta urresh vendin e tjetrit dhe mesa keq mund ti bësh tjetrit në atë vend.

Përkundrazi, thotë Kryeministri, kush urren vendin e tjetrit është e keqja e vendit të vet dhe kush mund ti bëjë keq tjetrit në vendin e  tij, duhet të ruhet në radhë të parë nga vetja vetëm për hir të vendit të vet.

Mirë sedërlinjtë, por ne kemi kadrinjtë, ish-president dhe ish-kryeministër, i biri i Sheqeres dhe derdh helmin e urrejtjes në mexhelis si të ishte djali i vetëm i Anakondës. Mendoni një sekondë sikur shteti jonë të ishte përplasur me polici me ata jabanxhinj që erdhën dhe lanë namin e tyre të zi edhe në Shqipëri dhe ikën pasi keqtrajtuan të ashtuquajturin ‘hero’ i tyre, e pamendueshme. Shumë prej tyre nuk do të hyjnë dot më në Shqipëri, të tjerët do të mendohen mirë nëse do të vinë përsëri dhe kush thotë se për atë përçudnim të ceremonisë mortore fajin e paskësh varreza e ushtarëve të rënë gjatë luftës italo-greke, duhet të vizitohet, nuk është mirë.

E paska respekti për të vdekurit fajin pse dalin nga fiqiri të gjallët, e paska respekti për të ikurit në botën tjetër dhe për vlerat e humanizmit në terësi fajin pse në këtë botë njerëzit ndodh të kthehen në hijena e të klithin si korba njerëzit të vlerave, e paska respekti për historinë e një fqinjësie të mbushur me njerëzillëk mes të thjeshtëve fajin pse njerëzillëkun e fqinjësisë së mirë i bien me shqelm kadrinjtë e politikës dhe të medias në kryeqytetet e të dy shteteve?! Broçkulla.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: