TIRANE

Pas thirrjeve nacionaliste dje në Bularat, gjatë ceremonisë mortore të Kostandonos Kacifas, vjen reagimi nga ministri Ditmir Bushati.

Bushati gjatë një takimi llogaridhënës në Gjegjan të Pukës bëri thirrje që qytetarët të mos bien në kurthin e disa ekstremistëve grekë. Po ashtu kryediplomati shqiptar shtoi se nga pikëpamja shtetërore, qeveria jonë i ka kryer detyrat. Mes të tjerash ministri pohoi se ‘Po vure dorën mbi policinë dihet reagimi dhe përgjigja’.

“Besoj se nga pikëpamja e detyrave shtetërore ne i kemi kryer ato detyra një më një dhe për incidentin fatkeq në Bularat. Shpresoj shumë që prokuroria, policia, organet hetimore ta thonë fjalën e tyre me profesionalizëm dhe ne ti krijojmë mundësi që ata të shprehen me profesionalizëm për çka ka ndodhur në Bularat, për rrethanat e humbjes së jetës. Një gjë e dimë të gjithë që po vure dorën mbi polici, kudo qofsh nga demokracitë më të zhvilluara, vendet më problematike, dihet se cili duhet të jetë reagimi dhe përgjigja e forcave të rendit. Së dyti, nëse i referohemi ngjarjes së djeshme ku pamë një shpërfaqje të një ekstremizmi dhe parullave të cilat në thelb dëmtojnë miqësinë mes vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe në këtë pikë mund të them që shpresoj që policia, forcat e rendit të bëjnë punën e tyre me seriozitetin maksimal dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë konsumuar akte të kundraligjshme të ndiqet rruga ligjore. Detyra jonë është që të mos biem në kurthin që identifikojmë një grup ekstremistësh me popullin grek, i cili në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë aty krah për krah me ne”, tha Bushati.

Ndërkohë më herët, Bushati përmes një statusi në Twitter, dha një mesazh jo vetëm për politikanët në Greqi, por edhe për ata zëra shqiptarë që kërkuan një reagim më të ashpër nga strukturat e shtetit shqiptar. Duke cituar një shprehje të famshme të ish-kryeministrit britanik Benjamin Disraeli, Bushati shpjegon dhe qëndrimin e autoriteteve shqiptare ndaj zhvillimeve të ditëve të djeshme në Bularat.

“Situatat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja është pjesë e fuqisë tonë. Ne politikanët gjykohemi vetëm nga veprimet tona për të nxitur ose urtësuar situatat”. Gjatë ditës së djeshme në Bularat u zhvillua ceremonia e varrimit të Konstandinos Kacifas. Autoritetet shqiptare morën vlerësime për menaxhimin e situatës ndonëse pati provokime dhe thirrje të shumta antishqiptare.

Ndërkohë kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Aleksis Cipras e kanë dënuar këtë sjellje duke kërkuar qetësi, si dhe kanë theksuar se kjo situatë nuk prek marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.
Rreth dy javë më parë në Bularat, humbi jetën Konstandinos Kacifas si rezultat i konfrontimit me policinë. Ngjarja u pasua me thirrje raciste nacionaliste dhe antishqiptare nga segmente të caktuara. Për këtë çështje MEPJ ka thirrur dy herë ambasadoren e Greqisë në Tiranë Eleni Surani, të cilës i ka kërkuar sqarime në lidhje me reagimet pas ngjarjes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb