TIRANË- Reagimin e policisë ndaj minoritarit grek Konstadinos Kaçifas ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti demokrat Tritan Shehu e ka quajtur të domosdoshme. Në një bisedë në studion e News24, në rubrikën “Opinion”, Shehu tha se 35-vjeçari ishte i indoktrinuar nga ekstremistët dhe se nuk duhet që kjo ngjarje të ndikojë në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.


“Për fat të keq përfundoi me vrasjen e atij që e nisi këtë gjë. Policia reagoi me të drejtë. Policia duhet të reagonte dhe reagoi. Padyshim policia ka disa mundësira. Duhet të ketë një ekspertizë transparente qe të vërtetojë elementet teknikë e do i shërbejë dhe qetësimit të disa zhurmave.
Ky agresion ndodhi dhe u bë si pasojë e një indoktrinimi ekstremist të një personi. Mendoj se kjo ngjarje nuk ka pse të impresionojë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi”, u shpreh Shehu.


Ndërkohë, hapjen e një banderole dje nga ultrasit e Partizanit në stadium, deputeti e sheh si shqetësues dhe të nxitur nga dikush.


“Mbrëmë në stadium pashë një parullë që më shqetësoi shumë që nuk kishte lidhje me futbollin dhe që nxit urrejtje. Janë elementë të nxitur nga dikush. Nacionalizmi është ndalesa e fundit për atë që ka shkuar drejt greminës”, tha më tej Shehu.

Ai komentoi deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha për ngjarjen e Bularatit dhe reagimin e kryeministrit Edi Ram, për të cilin tha se e ka shokuar.
“Ky incident bëri të shpërthejnë disa simptoma. U shokova mbrëmë. Zoti Berisha bëri një arsyetim racional e të qetë dhe më pëlqeu. Pas pak minutash kryeministri i Shqipërisë më shokoi, doli me një prononcim të papranueshëm, nuk ishte fjala vetëm për fyerjet por kërkonte t’i vishte një xhaketë ultranacionaliste. Kërkonte të shfrytëzonte politikisht një ngjarje duke e ditur qartë që kështu futemi drejt një vorbulle të rrezikshme për vendin.
Mesazhi i Ramës i papërshtatshëm, jashtë kontekstit që nuk i shërben situatës”, tha Shehu.

Ai theksoi se 35-vjeçari që mbeti i vrarë iu kundërvu një aktiviteti miqësie mes shqiptarëve dhe grekëve siç ishte ai i organizuar në Bularat.
“Zoti Basha ka qenë shumë racional. Tentativa e veshjes së një veshje ultranacionaliste kërkon tërheqjen e vëmendjes nga situata në vend”, u shpreh Shehu.

(m.k/BalkanWeb)