TIRANË

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka qenë sot në krah të banorëve në bregun e lumit në Tiranë, të cilët janë mbledhur  për të kërkuar dëmshpërblimet e pronave të prekura nga ndërtimi i Bulevardit të ri.

Duke iu premtuar mbështetje të gjithë banorëve, Tabaku  theksoi se kreu i bashkisë, Erion Veliaj së bashku me Ervin Bushatin dhe Sadri Abazin i mashtruan duke iu thënë se prona e tyre do të dëmshpërblehet me 50 mijë lekë të reja për metër katror.

“Erion Veliaj bashkë me Ervin Bushatin dhe Sadri Abazin  thënë se do ti dëmshpërblejnë me 50 mijë lekë të reja metrin katror. Sot atë premtim e morën dhe e shkelën me dy këmbë.Nuk ka zgjidhej, sot ose do kemi këtu që të mbrojmë pronën, pavarësisht nëse jemi pronarë të vjetër ose të rinj ose do t’ia lejojmë këtij shtetit që nesër të vij në shtëpitë e gjithsecilit prej nesh. Unë jam këtu për të mbrojtur banorët së bashku me kolegët deputetë të PD. Do të bëjmë një betejë ligjore deri në pikën e fundit për t’i mbrojtur këto banesa”, tha Tabaku.

Gjithashtu Tabaku përmendi faktin se Partia Demokratike është në mbrojtje të këtyre banorëve, duke sulmuar ashpër kreun e bashkisë, i cili siç tha ajo e di mirë se qytetarët e kësaj zone janë të pambrojtur dhe pa mbështetje.

Për Tabakun, të gjithë qytetarët duhet të dalin sa më parë në protestë për të ndaluar planet që kanë për synim grabitjen e pronës. Sipas saj, një qeveri e cila dhunon djersën e qytetarëve përfundimisht ka rënë dhe është një alarm për të gjithë, madje edhe për procesin e integrimit të vendit drejt BE-së.

 

“Ashtu siç po luftojnë të gjithë qytetarët në të gjithë Shqipërinë. Nesër do të jetë vonë, nesër do të vijnë në shtëpinë tonë dhe do na marrin pronën. Kjo betejë është një betejë jo vetëm për pronën, pro edhe për procesin e integrimit, sepse prona është prioriteti kryesor i këtij procesi. Një shtet që shkel me dy këmbë, punën, kapitalin, jetën e këtyre njerëzve këtu, ai shtet nuk vlen më, ai shtet ka mbaruar. Erion Veliaj  e  di se edhe këto njerëz nuk kanë mbështetje. Këto qytetarë po kërkojnë që mos të shkelet ligji. I bëj thirrje qeverisë të tërhiqet”, shtoi ajo.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb