Ervin Bulku ka qenë një nga lojtarët më karizmatikë në fushat e blerta. Mesfushori tiranas, që pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar te bardheblutë e kryeqytetit, tregon për emisionin “Adrenalinë” në “IN Tv” eksperiencën e tij si lojtar, atë aktualen si ndihmëstrajner i Kombëtares, teksa shpreson që si traner të ketë të njëjtin sukses që ka patur dhe si futbollist.

Ukraina

“Padiskutim ka qenë i vështirë. Nuk është si sot që lojtarët kanë menaxherë që po punojnë që futbollistët shqiptarë t’i çojnë në ekipe dhe kampionate më të forta. Unë ika drejt Ukrainës dhe qëndrova një muaj në fazë përgatitore.

Kjo ndodhi deri në momentin që trajneri dhe drejtuesit vendosën që të bëhem pjesë e skuadrës së Krivbas”.

Momenti më i bukur

“Ka shumë momente, por më kulminanti ka qenë ai kur kemi shkuar me Kombëtaren në Francë 2016. Ai është kulmi për një futbollist shqiptar. Nuk arritje më të madhe se ajo për një lojtar”. Trajneri më i mirë “Është e vështirë t’i ndaj trajnerët, me të gjithë kam pasur dhe vazhdoj të ruaj marrëdhënie të mira. Komunikoj me ta gjithë kohës”.

Kujtimi më i keq

“Për çdo lojtar moment i keq është atëherë kur ke një kohë të gjatë dhe nuk je në fushën e lojës, ndonjë dëmtim i gjatë, por unë fatmirësisht nuk kam pasur shkëputje të gjata. Kam qëndruar jashtë për periudha 2-3 javore. Kam pasur ndonjë tërheqje dhe jo probleme me ndonjë ligament të gjurit, që është fatal dhe të lë 6 muaj ose më gjatë jashtë”.

Komunikimi

“Nuk them dot vetëm një. Kam luajtur shumë gjatë me ekipin kombëtar dhe duket sikur i diferencoj. Në Kombëtare, aty kuptohemi të gjithë, pasi japim maksimumin për fanellën. Probleme me ndonjë? Jo, asnjëherë. Kemi pasur marrëdhënie të mira, dhe vazhdoj e mbaj kontakte me ta. Është normale, që mund të kesh ndonjëherë zënka momenti në ekip, sepse futbolli i tillë është.”.

Më shakaxhiu “Salihi, Osmani dhe Bogdani, në kohën kur unë isha pjesë e skuadrës”.

Panuçi apo De Biazi?

“Për Panuçin është akoma herët që të flasim, pasi këtë periudhë ai ka njohur lojtarët dhe tani e ka një ide të qartë për ta. Mendoj se kur ishte De Biazi, sepse unë kam qenë edhe lojtar edhe ndihmës i tij, shumica e lojtarëve kanë qenë në formë shumë të mirë dhe aktivizoheshin nëpër skuadrat e tyre. U bashkuan shumë gjëra, një zinxhir i gjatë që të arrinim atë sukses. Pa diskutim që trajneri dhe të gjithë patën ndikimin e vet atë sukses. Nëse në mars kur të nisin eliminatoret, lojtarët do të jenë në formë, mund të ecim mirë”.

Pozicioni

“Shumicën e kohës kam luajtur mesfushor para mbrojtjes, ndaj ai është pozicioni që më pëlqente më shumë. Mbrojtës i djathtë ose qendërmbrojtës jam aktivizuar kur ka pasur nevojë trajneri dhe për nevoja të skuadrës”.

Superliga

“Mendoj se kampionati shqiptar vjen në rritje çdo vit, pasi edhe terrenet, edhe stadiumet nuk janë më si përpara. Kur përmirësohen kushtet, mendoj se edhe niveli rritet. Titulli? Është ende herët për të folur, sepse ka edhe dy faza për të luajtur, por mendoj se do të jetë një kampionat shumë i fortë. Do jetë ndryshe nga vitet e mëparshme, kur Skënderbeu apo Tirana shkëputeshin shumë.

Këtë kampionat do ketë konkurrencë deri në fund. Aty do ndahet edhe titulli”.

Idhulli

“Çdo lojtar dëshiron të arrijë majat, por si një lojtar shqiptar mendoj se jam i kënaqur me atë çka kam arritur. Normale është që çdo njeri do sa më shumë, nuk kënaqet me aq. Në të shkuarën idhulli im ka qenë Marko Van Basten”.

Disiplina

“Nëse kam arritur deri këtu në karrierë, ka qenë prej disiplinës. E kam zbatuar me përpikmëri, një disiplinë të hekurt, ndaj edhe kam pasur një karrierë të gjatë. Nëse mban regjim dhe stërvitesh mirë, edhe ke pak dëmtime siç thashë më parë”. Mesazhi “Të gjithë ata fëmijë, të rinj, që mundohen dhe japin maksimumin, stërviten çdo ditë dhe sakrifikojnë, një ditë do shpërblehen për atë mund dhe djersë që do derdhin”. E ardhmja “Nuk mund të bësh plane, nuk është mirë t’i bëj. Nuk diskutohet që afër futbollit. Shpresoj të kem të njëjtin sukses edhe tani, sikurse gjatë kohës që kam luajtur futboll”.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: