BULLGARI- Pesë persona nga Kosova janë arrestuar në afërsi të kufirit bullgaro-maqedonas. Prokuroria e qytetit të Kjustendil­it kërkoi masën e arrestit me burg ndaj tyre për shkak se dyshon për lidhje me organizatën terroriste të ISIS.

Mediat bullgare shkruajnë se shqiptarët u arrestuan gjatë një kontrolli nga policia kufitare në pikën e kontrollit në Gueshevo, një nga tri pikat e kalimit kufitar ku Bullgaria ka vendosur ushtrinë për të mbështetur policinë, për shkak të krizës me emigrantët e paligjshëm, shkruan Panorama.

“Të arrestuarit i përkasin moshave nga 20 deri në 24 vjeç, ndërsa vetëm njëri prej tyre ka pasur dokumente identifikimi”,­ shkruan “Sofiaglobe”. Fillimisht, Prokuroria ka ngritur akuza për kalim të paligjshëm të kufirit, masa e dënimit e së cilës shkon deri në 5 vite burg, ndërkohë që ndaj tyre po vijojnë hetimet edhe për lidhje të mundshme me “Shtetin Islamik”. Gjatë kontrollit të mjetit të tyre policia ka thënë se ka gjetur materiale propagandistike dhe video në telefona që mbështesin militantët e ISIS.

Televizioni Kombëtar Bullgar ka thënë se dyshimi që çoi në arrestimin e tyre ishte ofrimi i ryshfetit në euro nga shqiptarët ndaj policive. Në një prononcim për “BTV”, ministri bullgar i Mbrojtjes, Nikolai Nençev tha se ende nuk dihet se si grupi kishte kaluar kufirin, por ndaj tyre ka dyshime për lidhje me grupe të ndryshme radikale.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb