Nga ENVER DOÇI*
BULQIZË – Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit zbarkoi sot për një kontroll të imtësishëm në subjektet minerare në rrethin e Bulqizës.
Më shumë se 25 inspektorë, përfshirë edhe kreun e këtij institucioni, Ergys Agasin, kontrolluan nëse subjektet janë të pajisura me lejen e mjedisit, plotësimin e kushteve sipas saj dhe origjinën e lëndës drusore që përdorin për galeritë e tyre. Gjatë inspektimit të 18 subjekteve të para, rezultoi se vetëm 5 prej tyre kishin leje mjedisore; 13 subjektet e tjera u gjobitën me 2 milionë lekë të reja secila.
Kryeinspektori Agasi tha se pas kontrolleve dhe paralajmërimit, masat do të nisin nga gjoba deri tek pezullimi total i aktivitetit. “Aktiviteti i nxjerrjes së kromit, – tha Agasi, – është një nga aktivitetet me mpakte të konsiderueshme në dëmtimin e mjedisit dhe të pyjeve, ndaj ISHMPU ka filluar këtë inspektim, që do të vijojë gjatë githë muajit dhjetor. Asnjë shkelje nuk do të tolerohet.”
Inspektorët kontrolluan në zonën e Bulqizës rreth 86 subjekte minerare, të cilave iu janë lënë detyra sipas mungesës së dokumentacionit të paraqitur apo moszbatimit të kushteve në lejen e mjedisit.
Grupet e inspektimit, do të vijojnë kontrollet gjatë gjithë muajit dhjetor në zonën e Bulqizës. Pas mbarimit të inspektimit në këtë zonë, kontrollet e aktiviteteve minerare do të shtrihen në të gjithë vendin.
(ar.sh/BalkanWeb)