Nga: ENVER DOCI*
BULQIZE – Banesa e shtetasit Festim Koçi, në fshatin Çerenec të sipërm në Bulqizë, zonë kufitare me Maqedoninë, ka rënë pre e grabitësve për herë të tretë brenda një kohe të shkurtër. Sipas kryefamiljarit Koçi, herën e parë janë vjedhur bixhuteri dhe para, herën e dytë elektroshtëpiake, ndërsa sot grabitësit kanë kërkuar sërish për gjëra me vlerë duke e kthyer çdo gjë përmbys, por ende nuk dihet se çfarë kanë arritur të marrin.
Grabitësit kanë shfrytëzuar kohën kur nuk ka patur njeri në shtëpi, pasi familja Koçi ndodhej në Bulqizë për vizitë tek një i afërm i tyre. Ndërkohë ka qenë i vëllai i Festimit ai që ka konstatuar mëngjesin e sotëm grabitjen, pasi ka vënë re që dera kryesore e shtëpisë ishte e hapur.
Menjëherë është lajmëruar policia e Dibrës, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, pronari i banesës shprehet se edhe për të dy grabitjet e para është bërë denoncimi në polici, por ende nuk është kapur asnjë autor.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: