BULQIZË

Pas helmimit të 113 qytetarëve në Bulqizë dhe që dyshohet se shkak është bërë uji i pijshëm, Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë analizat e para të ujit.

Sipas këtij instituti, analizat e ujit të pijshëm kanë rezultuar negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale.

ISHP thekson se për të pasur një përgjigje përfundimtare, duhet më parë të dalin edhe rezultatet e tjera të analizave nga mostrat, të cilat janë marrë nga uji i Bulqizës.

Njoftimi i ISHP-së

Përgjigja e analizave të para për ujin në Bulqizë. Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë.

Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale.Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: