TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sot qeverinë se po mban të fshehtë projektin për lumin Vjosa dhe ka kërkuar përgjigje dhe të dhëna në lidhje me këtë çështje.
“Ne kërkojmë që qeveria shqiptare, Ministria e Jashtme, të japë informacion dhe llogari se çfarë ka bërë gjatë kësaj periudhe për të mbrojtur interesin kombëtar shqiptar për çështjen e lumit Vjosa. Pra, a e ka ngritur këtë çështje në takimet dypalëshe? Ministri i Jashtëm Bushati është takuar katër herë me ministrin e Jashtëm Venizelos gjatë kësaj periudhe njëvjeçare e gjysmë që janë në qeverisje. Pse nuk është ngritur kjo çështje në takimet dypalëshe si çështje e një rëndësie të madhe kombëtare?!”, tha Bumçi.


Ai tha se më 9 janar është mbledhur komisioni i përbashkët për ujërat mes Shqipërisë dhe Greqisë, por për këtë takim nuk ka asnjë informacion.


“Pyetja e dytë ka të bëjë me Komisionin e Përbashkët të Përhershëm për Ujërat e Ëmbla midis Shqipërisë dhe Greqisë që është mbledhur më 9 janar të këtij viti. Si ka mundësi që nuk ka asnjë transparencë, asnjë informacion se çfarë është diskutuar mes palës shqiptare dhe asaj greke për Vjosën. Sepse ky komision diskuton vetëm çështjen e ujërave të ëmbla, Vjosa, Prespa dhe lumenj të tjerë. Pse nuk kemi informacion?! Kjo mungesë informacioni çfarë fsheh?! Çfarë frike ka pala shqiptare që nuk informon publikun në lidhje me projektet mbi Lumin Vjosë?! Çfarë po fsheh me këtë heshtje?! Këto janë shqetësime të mëdha që ne ngremë si opozitë, dhe i kanë ngritur dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Besoj se të gjithë qytetarët janë të interesuar për të mësuar të vërtetën mbi Lumin Vjosa. Çështja e Lumit Vjosa është ngritur edhe më herët por a është lajmëruar qeveria e demokratëve në lidhje me këtë çështje?”, tha deputeti i PD-së.


Ai shtoi se gjatë kohës që ka qenë Ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë informacion nga Ministria e Jashtme Greke dhe hodhi dyshime mbi takimet e ministrit të jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe atij grek Venizelos.

“Nuk ka pasur as edhe një informacion të vetëm. Ne jemi informuar vetëm nëpërmjet medias. Kanë qenë bashkitë e Greqisë Veriore të cilat janë kundër projektit dhe kanë ngritur zërin. Ne jemi informuar nëpërmjet tyre dhe medias dhe burimeve të tjera që ka një projekt. Mbas këtij shqetësimi kemi kërkuar që Ministria e Jashtme dhe ambasada jonë në Greqi të vihej në lëvizje dhe të mësojë më shumë për projektin. Kjo është e vërteta. Është kërkuar të manipulohet në media duke dashur ta sjellin çështjen në korrik 2013. Pra kemi takime të Bushatit me Venizelosin dhe çështja nuk ngrihet ose të paktën publikisht nuk na thuhet gjë. Kemi më 9 janar të këtij viti kemi mbledhjen e Komisionit të Ujërave dhe nuk ka informacion për publikun se çfarë është diskutuar dhe kërkojnë që këtë çështje ta sjellin në korrik 2013”, tha Bumçi.

Ai akuzoi qeverinë se po kërkon të manipulojë çështjen dhe ta fshehë. “Kjo është një arsye më shumë që ne të jemi të shqetësuar për sjelljen e qeverisë në lidhje me Lumin Vjosa. E vërteta është që ne nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga qeveria Greke”, përfundoi deputeti i PD-së, Aldo Bumçi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: