Pasi gjykata caktoi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 personat e arrestuar me akuzën se bllokuan rrugën pas protestës së mbajtur tek ‘Unaza e Re’ nga banorët e Astirit, këta të fundit protestuan para gjykatës. Të mbështetur nga ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, banorët kanë kërkuar lirimin e 3 të arrestuarve.

Mbi ta rëndojnë akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe bllokimi i rrugës, ndërsa me ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Penal, kjo vepër penale dënohet deri në 3 vite burg. Bëhet fjalë për shtetasit; Skënder Doda, Ilir Katiraj si dhe Gramoz Shehu. Sipas avokatëve mbrojtës, rruga nuk u bllokua vetëm nga këta 3 persona, ndërsa shtuan se nuk pati arsyetim te vendimit.


Ndërkohë, demokrati Balliu tha se ndërkohë që qeveria vjedh, në burg futen qytetarët. Mes të tjerash ai sulmoi Ramën, ndërsa shtoi se kjo është protesta e qytetarëve. Po ashtu Balliu deklaroi se bashkë me qytetarët do të tërhiqen që të marrin një vendim se çfarë rruge do të ndjekin për protestën e tyre, pasi kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe, ku parashikohet shembja e banesave të tyre.
“Ky do marrë zvarrë (Rama). Do tërhiqemi për vendim. Brenda 2-3 orësh do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Ai nuk njeh asgjë. As familje, asgjë. Ata shijojnë paratë. Nga 3 milionë lekë që kishte në llogari, bëri shtëpi në Surrel. Këta vjedhin çdo ditë. 1 mln e 200 mijë euro i kanë dhënë këta banorë shtetit. Ai projekt banditesk nuk ndalet”, tha Balliu.
(ed.me/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb