TIRANË- Gazeta “Panorama” zbardh sot mesazhet që Sajmir Qefalia i dërgonte gazetares Jonida Shehu, e pas denoncimit të së cilës përfundoi edhe në burg. “Unë të dua fort. Vdes për ty dhe po vuaj shumë për ty”. Sajmir Qefalia, autori i këtij mesazhi, një nga qindra mesazhet e dërguara prej tij në postën private të profilit në “Facebook” të gazetares Jonida Shehu, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 33-vjeçarin, që për dy vite me radhë i ka dërguar mesazhe dashurie gazetares Shehu, që drejtonte një program televiziv në “Ora News” dhe aktualisht në “Top Channel”. Ai u arrestua pas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë nr.1 nga ana e Shehut, pas shqetësimit të vazhdueshëm që i kishin sjellë mesazhet e tij.
Vendimi i Gjykatës për lënien në qeli të Qefalisë ishte në miratim të kërkesës së përfaqësuesit të Prokurorisë në seancë. Vetë i dyshuari nuk ka shfaqur asnjë pretendim para gjyqtarit të gatshëm, Altin Shkurti. Përmes avokatit të tij mbrojtës, Qefalia ka shfaqur pendesë të thellë për shqetësimin që i ka sjellë gazetares. Por sipas tij, ai nuk e ka dëshiruar një fakt të tillë.

MESAZHET

Burime brenda seancës më dyer të mbyllura për median bënë me dije se përfaqësuesi i Prokurorisë ka paraqitur një material me 34 faqe me mesazhe të shkruara nga i dyshuari Qefalia. Sipas prokurorit, mesazhet në fjalë ishin dërguar në inbox-¬in e Facebook- ut të gazetares gjatë dy viteve të fundit, kryesisht në përfundim të serive të programeve të prezantuara prej saj e po ashtu në orët e vona të natës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb