TIRANË – Administratori i firmës së ndërtimit “Dini-2009”, Hajdin Zyberaj, është akuzuar nga Prokuroria për mashtrim të mbi 36 personave, të cilët kishin blerë apartamente të kësaj shoqërie në Linzë. Zyberaj i kishte shitur apartamentet tek persona të tjerë, duke grumbulluar miliona nga të dyja palët dhe arratisur jashtë shtetit.


Kështu, Prokuroria e Tiranës njoftoi sot se “ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj Hajdin Zyberajt, administrator i shoqërisë së ndërtimit “Dini-2009”, për veprën penale të “mashtrimit ndaj shumë personave me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.


Nga hetimi rezulton se i pandehuri ka mashtruar së paku 36 persona, të cilët kanë blerë apartamente dhe dyqane në ndërtimin e tij në zonën e Qesarakut, Linzë, por që më pas ka rezultuar se këto prona u janë shitur dy ose më shumë personave të tjerë.
Personat e dëmtuar janë të pajisur të gjithë me kontrata noteriale për blerjen ose prenotimin e pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin në disa milionë euro.


Në fund të vitit 2013, të gjithë kallëzuesit kanë konstatuar se në ambjentet që kishin blerë kishin hyrë persona të tjerë, edhe ata të pajisur me kontrata të rregullta noteriale. Në këto kushte, kallëzuesit kanë kërkuar takim me administratorin e “Dini-2009”, por rezultonte se ai ishte larguar nga Shqipëria. Edhe gjatë hetimit, rezulton se i pandehuri Hajdin Zyberaj nuk është gjetur në Shqipëri dhe hetimi është zhvilluar me masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb