ANGLI- Pesë shqiptarë janë dënuar nga një gjykatë në St. Albans të Londrës me burgim për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik droge. Ata janë Eduart Plaku, 37 vjeç, vëllai i tij Antonio Plaku, 25 vjeç, Albert Cena, 29 vjeç, Fatjon Shehu 29 vjeç dhe Leonard Hasanaj, 33 vjeç.

Shqiptarët u kapën në një operacion të policisë britanike, i cili u finalizua gushtin e vitit të shkuar. Mësohet se shqiptarët kishin krijuar një rrjet kriminal që shpërndante drogë të klasit A, pra kokainë dhe heroinë.

Eduart Plaku, me banim në Luton u dënua me 6 vjet për posedim të lëndëve të ndaluara. Ndërsa vëllai i tij, Antonio Plaku, u shpall fajtor për shpërndarje droge dhe u dënua me 11 vjet burg. Albert Cena u dënua me katër vjet burg ndërsa Fajton Shehu u dënua me vetëm 21 muaj burg.

Ndërsa disa muaj më parë, Leonard Hasanaj është dënuar me 3 vjet burg pasi u kap me kokainë. Më katër qershor të vitit të kaluar, policia britanike gjeti në një automjet 124 mijë paund, të cilat drejtuesi, një anglez, nuk mundi ta justifikonte burimin. Hetimet treguan se paratë ishin para droge të shqiptarëve në fjalë.

Gjithashtu, më 30 korrik të vitit 2014, policia britanike gjeti në një taksi 40 mijë paund. Taksisti tha se paratë ishin të pasagjerit që ai po shoqëronte. Ky i fundit ishte Antonio Plaku, i cili sapo pa policinë arriti të largohej me shpejtësi duke lënë paratë në taksi.

Më 2 gusht të vitit 2014, policia ndaloi Leonard Hasanaj në hyrje të Lutonit. Atij iu gjetën 2 kg kokainë. Në bazë të hetimeve, Hasanaj, i cili banonte në Londër, furnizonte Antonio Plakun në Luton me kokainë. Ky i fundit më pas e shiste drogën.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: