TIRANE – Kryeministri Rama rikthen në Kodin Penal ndëshkimin me burg për veprën penale të shpifjes. Edhe pse në opozitë kryesocialisti Rama e quajti një veprim të drejtë heqjen e këtij neni nga Kodi Penal, sot që është në qeveri ka propozuar kthimin e këtij neni kundër shpifjes ndaj funksionarëve të lartë.

Në propozimin në fjalë, shtohet neni 238/a me përmbajtje: “Shpifja ndaj një funksionari të lartë shtetëror, apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet”.

Mbetet për tu parë se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i LSI-së për këto ndryshime, duke pasur parasysh se votat e saj janë përcaktuese për kalimin e këtij neni, pasi ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë 84 vota.

Por deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj nuk ka nguruar të shprehë hapur qëndrimin e saj kundër projekt/ligjit. Në një reagim në profilin e saj në “Facebook”, Mehmetaj shprehet e bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë kundër nismës që dënon shpifjen me burg.

“Jam e bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim do jetë kundër çdo lloj nisme që shpifjen e dënon me burg! Shpesh përgjatë këtyre dy viteve si pjesë e Kuvendit të Shqipërisë kam dëgjuar shpifje ndaj meje. Në të gjitha rastet të PADREJTA! Megjithatë, unë zgjodha të jem figurë publike dhe kur e bëra këtë zgjedhje mora gjithashtu përsipër të përballem me komente dhe reagime negative. Të qenurit funksionar i lartë apo i zgjedhur, të bën të jesh vazhdimisht në luftë politike dhe lufta nuk është gjithmonë e drejtë. Gjithkush mund të shpif ndaj meje (ndoshta edhe me keq seç është bërë deri tani), por a mund të barazohet fjala me lirinë? Padyshim që nuk duhet të jetë kaq e thjeshtë shpifja, prandaj për këtë ka procedura ligjore që e dënojnë, por nuk do isha kurrsesi dakord që këto masa të ishin ekstreme deri në heqjen e lirisë”- shkruan deputetja Mehmetaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: