Grabitja e një viti më parë në Kamëz, me pasojë vdekjen, është mbyllur me një burgim të përjetshëm dhe 26 vite burg përkatësisht për dy autorët.


Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, pas disa muajsh shqyrtim, gjeti fajtor Rruzhdi Hodën dhe Vladimir Kurtin për grabitjen në një market ku mbeti i vrarë Agim Buci dhe u plagos rëndë bashkëshortja e tij, Rita Buci, e gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të djalit të vogël të çiftit Buci.


Edhe vetë autorët e kanë pranuar grabitjen, por gjatë shqyrtimit të çështjes janë munduar t’ia faturojnë njëri-tjetrit organizimin dhe përdorimin e armës së zjarrit që solli edhe pasojat më të rënda. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës që disponon gazeta “Panorama”, ka qenë gjatësia dhe shenjat e përleshjes me viktimën ato që kanë tradhtuar Vladimir Kurtin, i cili nga hetimet rezultoi personi që ka qëlluar me armë.


Ashtu si në kamerat e sigurisë, por edhe nga dëshmia e bashkëshortes së Agim Bucit, Rita Buci, personi më i shkurtër nga dy grabitësit mbante në dorë një armë zjarri, kjo e konstatuar edhe nga kamerat e sigurisë.

PËRGJIMI

Ka qenë përgjimi ambiental i një prej autorëve, Rruzhdi Hodës, një ditë pas ngjarjes që i ka çuar hetuesit në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave dhe rolin e tyre. Pas këtij përgjimi, Policia ka bërë shoqërimin dhe më pas arrestimin e Hodës, i cili është shprehur i penduar dhe ka vendosur që të bashkëpunojë duke treguar detaje mbi planin dhe ekzekutimin e tij.

“Nga përgjimet e komunikimeve ambientale të shtetasit Rruzhdi Hoda nëpërmjet pajisjes GPS të vendosur në automjetin me targa AA 26 XXX, i cili është vleftësuar brenda afatit ligjor me vendimin respektiv gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka rezultuar se: Më datë 26.4.2018 subjekti (Berti) ka komunikuar me shtetasin Rruzhdi Hoda (shoferi) duke e pyetur në lidhje me ngjarjen. Në vijim Rruzhdiu komunikon me subjektin duke i thënë atij se kishte zhdukur çdo gjë (provë) nga kjo ngjarje, si rrobat që ata kishin pasur veshur, po ashtu edhe armën e krimit. Si bashkautor në këtë ngjarje ai përfshin edhe shtetasin Vladimir Kurti duke e thirrur me emrin Midi Hoti. Po kështu shtetasi Rruzhdi Hoda komunikon me subjektin duke i thënë atij se personi që ka qëlluar me armë zjarri në këtë ngjarje është Midi.

Gjithashtu Rruzhdiu komunikon me subjektin duke i thënë atij se armën e krimit e kishte siguruar ai vetë pasi e kishte blerë, por pa dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë fakt”, shkruhet në vendim.

Ndërkohë, ka qenë Rruzhdi Hoda i cili ka shpjeguar se një ditë para ngjarjes kishte takuar Vladimirin dhe ai i kishte thënë se do të kryenin një punë. Ditën tjetër kanë veshur nga dy palë rroba, janë maskuar dhe kanë shkuar te marketi ku, pas përleshjes me pronarët, kanë plagosur rëndë Rita Bucin dhe kanë vrarë bashkëshortin e saj.


Grabitësit me dëshmi të ndryshme, i ngarkojnë fajet njëri-tjetrit

Ndërkohë që Vladimir Kurti dhe Rruzhdi Hoda kanë pranuar grabitjen, gjatë dëshmive të dhëna ata ngarkojnë me përgjegjësi për organizimin dhe armën njëri-tjetrin. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës, dëshmia e Hodës është gjetur e mbështetur në prova dhe fakte të tjera.

Rruzhdi Hoda ka deklaruar se ka shumë vite që e njihte Vladimir Kurtin. Sipas tij, kanë mbaruar shkollën 8-vjeçare bashkë dhe kanë pasur njohje që në atë kohë. Nga dëshmia e tij rezulton se Vladimiri kishte qenë në Gjermani dhe është kthyer afërsisht një vit para se të ndodhte grabitja. Gjatë kësaj kohe ata janë përshëndetur disa herë, si dhe në disa raste kanë pirë edhe kafe.

Ditën e ngjarjes është takuar me Kurtin dhe, sipas tij, ka qenë ai që i ka treguar për rrugën dhe marketin ku do të shkonin. Rruzhdi Hoda shpjegon se pas ngjarjes ata kanë shkuar tek Ura e Zgafnarit, ku kanë hedhur maskat, dorashkat, xhupat dhe pantallonat në lumë. I pandehuri Rruzhdi Hoda ka shpjeguar se në ngjarje ata kishin veshur nga dy palë rroba secili.

Ai kishte veshur një palë pantallona xhinse me ngjyrë blu, ndërsa Vladimiri kishte veshur një palë pantallona të zeza, të cilat i kanë hequr duke i hedhur në lumë. Më pas, ai ka hedhur thikën, ndërsa Vladimiri ka hedhur pistoletën në lumë. Por, tjetër variant të ngjarjes ka dhënë Vladimir Kurti.

Ai e ka mohuar faktin se ka pasur me vete armë zjarri, si dhe të ketë qëlluar me armë në drejtim të shtetasve Agim dhe Rita Buci, duke pretenduar se në momentin e ngjarjes ai ka pasur në dorë një kaçavidë, ndërsa armën, pistoletën, e ka pasur shtetasi Rruzhdi Hoda, me të cilën ka kryer edhe krimin.

Sipas tij, Rruzhdiu i ka thënë se po shkonte “për të parë ndonjë punë”, ndërsa ai ka qëndruar në banesë. Rreth orës 20:30, te banesa e Vladimirit ka shkuar përsëri Rruzhdiu, i cili i ka thënë atij se “kishte dalluar një vend për të vjedhur”. Ndërkohë, për momentin e grabitjes Kurti ka thënë se ai ka pasur në dorë një kaçavidë dhe nuk ka qëlluar me armë./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb