Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili përmes një postimi të gjatë në “X”, shprehej lidhur me burgosjen e deputetit Ervin Salianji.

Bardhi shkruan se halli i Edi Ramës është Olsi dhe jo drejtësia. “Fushata e egër e Edi Ramës për dënimin politik të Ervin Salianjit nga disa gjyqtarë hallexhinj s’ka të bëjë me drejtësinë. Ai po bën çfarë mundet për të ndikuar në hetimin e vëllait të tij dhe për të penguar të vërtetën e përfshirjes së Olsi Ramës me trafikantët ndërkomëbtarë të kokainës në Xibrakë”, shkruan Bardhi.

Më herët, Kryeministri Rama shkroi se viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve – sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq – tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie.

“Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumenta”, shkruan Rama.

Postimi nga Gazment Bardhi

Olsi Rama është halli i Edi Ramës, jo drejtësia; njëlloj siç Geroni ishte halli i Fatmir Xhafajt, dhe jo drejtësia!

Fushata e egër e Edi Ramës për dënimin politik të Ervin Salianjit nga disa gjyqtarë hallexhinj s’ka të bëjë me drejtësinë. Ai po bën çfarë mundet për të ndikuar në hetimin e vëllait të tij dhe për të penguar të vërtetën e përfshirjes së Olsi Ramës me trafikantët ndërkomëbtarë të kokainës në Xibrakë.

Me të tilla fushata, e mbajmë mend që mohoi kanabizimin e vendit. Ne ishim shpifësit që i nxinim imazhin vendit.

Mbrojti Saimir Tahirin. Edhe atëherë ne dolëm shpifës për trafikun e drogës me makinën e Ministrit të Brendshëm. Madje u dënuan dy zyrtarë të lartë të PD nga Dvorani me shokë, por e vërteta doli shpejt në dritë.

Mbrojti Elvis Roshin, Arben Ndokën, Armando Prengën, Valdrin Pjetrin, Agim Kajmakun, dhe të ngjashmit e tyre. Ne ishim shpifësit për akuzat e përdhunimit, vrasjeve dhe trafikur të drogës edhe për to.

Mbrojti incineratorët. Ne shpifnim për korrupsionin, por një dyzinë zyrtarësh janë në burg për këtë.

Me këto fushata shpifjesh, sulmesh dhe dhune ndaj opozitës, Edi Rama ka mbrojtur çdokënd dhe çdo gjë që i rrezikonte pushtetin e vet.

Ervin Salianji nuk e ka sajuar që vëllai i Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës ishte një trafikant i dënuar droge në Itali dhe qendronte i qetë në Shqipëri, pa kryer dënimin, nën mbrojtjen politike të qeverisë së Edi Ramës. Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?

Ervin Salianji u bë zëri publik i një denoncimi të ardhur në Partinë Demokratike se vëllai trafikant i Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës vazhdonte i qetë aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës. Cili institucion e hetoi që kjo nuk është e vërtetë? Policia e Shtetit vartëse e Ministrit me vëllain trafikant? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?

Pse nuk iu morën mostrat e zërit vëllait të MInistrit të Brendshëm, por u nis paketë postale për të bërë burgun në Itali? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?

Përpara se të na tregojë përrallat e vjetëruara me drejtësi të pavarur, Edi Rama duhet të na thotë edhe diçka tjetër. Çfarë bënte vëllai i tij me makinën që përdornin trafikantët e drogës së Xibrakës në të njëjtën kohë kur ngrihej laboratori i drogës dhe kishte nisur përpunimi i kokainës në Xibrakë? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb