NGA: Klodjana Haxhiaj
DURRES- Burgu famëkeq i Zaharisë rikthehet sërish në vëmendje për kushtet në të cilat jetojnë banorët e tij. Pas reportazheve të realizuara nga “News24’ brenda këtij burgu, në fokus vjen historia e një 38-vjeçar nga Durrësi.

Ky i fundit i dënuar me 3 vite e gjysmë për trafik të lëndëve narkotike, shfrytëzon lejen për të denoncuar kushtet e mjerueshme të tij.

Prind i dy fëmijëve, i cili e ka të pamundur të lëviz, i kategorizuar si para dhe tetraplegjik, ka humbur edhe shikimin në njërin sy për shkak të errësirës dhe jeta në burg është shumëfish më e vështirë. “Askush nuk e meriton këtë trajtim çnjerëzor. Përveç burgu-ferraj, ska asnjë emërtim për të. Që kur kam rënë në burg plus paralizës time jam bërë me diabet, me mëlçi dhe tension. S’mi plotëson kushtet. Nëse ka pasur burgje famëkeqe, si Auschwitz apo Spaçi, në krahasim me Zaharinë nuk janë asgjë”, tha 38-vjeçari.

Teksa thotë se po përjeton ferrin në qelitë, aty ku çdo ditë ka dhunë dhe vetëvrasje, i dënuar në burgun e Zaharisë që nuk do të identifikohet, ka nevojë për përkujdesje për shkak të gjendjes shëndetësore dhe karriges me rrota. Ai tregon se një kujdestar iu shërben 250 të dënuarve të sëmurë, ndaj për të jetesa e tij aty është bërë e pamundur. “Ska asnjë kusht aty, as një aspirinë. Ka një kujdestar për 250 veta. Atje ndodhin vrasje, vetëvrasje, djegie, presin damarët, hidhen nga kati i katërt. I kam parë vet me sy. Plus dhunën. Se ata njerëz atje mund të mbahen veç me dhunë se nuk ka ilaçe.”, thotë ai. Edhe pse mes 4 mureve, 38-vjeçari nuk mund të mos mendojë për familjen, e cila ka mbetur në mes të rrugëve . “Skam lekë në shtëpi për të ngrënë bukë, edhe fëmijët e mi i kam pa bukë. Edhe një kemp që kisha që ma paguanin prej 24 vitesh, ma hoqën, se më thanë që kushtet mi paguante shteti dhe s’më takonte më. Atje nuk më plotësohet asnjë ilaç”, pohoi ai.

38-vjeçari ka kërkuar ndryshimin e masës së dënimit, në lirim me kusht, gjë e cila është refuzuar nga prokuroria e Krujës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb