Në axhendën e Kongresit të Partisë Socialiste, të mbajtur ditën e djeshme, u prezantuan edhe disa nga kandidaturat për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Teksa zgjedhjet po afrojnë, përdorimi i burimeve shtetërore e publike në funksion të fushatës elektorale, mbetet një ndër rekomandimet kryesore për cilësinë e zgjedhjeve në vendin tonë.

Por, ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale, janë raportuar një numër i madh shkeljesh të ligjit nga ana e autoriteteve shtetërore qendrore dhe lokale, kryesisht institucionet qendrore me varësi politike dhe ato të bashkive.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Programit të USAID-it në Shqipëri (ACDC – Zhvillimi dhe Bashkëpunimi i Përshpejtuar i Shoqërisë Civile) është duke kryer monitorimin e përdorimit të mundshëm të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore 2019. Fokusi i ISP kanë qenë qeveria qendrore, si dhe bashkitë Durrës, Vlorë dhe Kamëz.

Nga monitorimi i deritanishëm janë raportuar raste të shumta të presionit shtetëror dhe detyrimit të punonjësve të administratës publike për të marrë pjesë në aktivitete partiake dhe elektorale.

Rasti më i fundit ishte manifestimi politik dhe elektoral i PS në Tiranë, ku pati raporteve gjerësisht se punonjës të administratës dhe enteve publike u detyruan të marrin pjesë në aktivitetin kryesor.

Janë konstatuar përdorimi i burimeve shtetërore në funksion elektoral përmes ceremonive ne natyrë politike të donacioneve humanitare nga ente publike, siç është rasti i Bashkisë Durrës, ku në sistemin e dhurimeve u përfshinë edhe OSHEE dhe ente të tjera publike.

Janë konstatuar raste kur bashkia ka përdorur mjediset e saj, kapacitetet njerëzore dhe burimet e tjera në funksion të fushatës elektorale apo agjendës politike. Konstatime të tilla janë raportuar edhe në bashkinë Kamëz, ku ka pasur raste që takimet politike janë mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, apo gjatë protestave të opozitës është konstatuar mungesë e personelit në punë.

Janë konstatuar identifikime të ceremonive zyrtare me parti politike apo organizim i prirjeve festive të sponsorizuara nga deputetë apo drejtues politikë lokalë, siç është rasti i bashkisë Vlorë.

Janë konstatuar spote televizive dhe në mediat sociale në emër të bashkisë dhe me simbolin e bashkisë, por që krahas saj, shoqërohen edhe me simbolin politik të partisë politike drejtuese në bashki, siç është rasti i spotit të fundit elektoral të bashkisë Tiranë.

Janë konstatuar raste kur deputetë dhe figura të tjera drejtuese partiake organizojnë dhe ndajnë dhurata, vlerësime mirënjohje të dhëna nga institucionet ekzekutive, leje legalizimi, pagesa shpërblimi për fëmijët në spitale deri edhe ndërtim banesash me investitorë të panjohur, – praktika që janë evidentuar në secilën bashki në monitorim dhe nga shumica e institucioneve ekzekutive.

Janë konstatuar raste të shumta kur nëpunës publikë me status civil jo vetëm marrin pjesë aktive në aktivitete elektorale, por edhe drejtojnë mbledhje të strukturave politike, kandidojnë për poste në parti politike apo mbajnë fjalime publike në aktivitete paraelektorale të partive, – praktikë që dukshëm shkel ligjin dhe mbetet një shqetësim i madh për nivelin e lartë të politizimit të administratës publike në nivelet e qeverisjes qendrore dhe sidomos asaj lokale.

Secili prej këtyre akteve përbën shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe në raste të caktuara, përbëjnë edhe indicie për hetim nga ana e organeve ligj-zbatuese. Partitë politike kanë detyrimin të respektojnë legjislacionin zgjedhor dhe institucionet publike, të emëruara apo të zgjedhura kanë detyrimin të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin.

Praktikat e mësipërme janë vetëm disa prej rasteve të shumta të devijimit nga ligji dhe të shkeljes flagrante dhe publike të tij, – një sinjal negativ për vullnetin politik dhe institucional për standarde më të larta qeverisëse qendrore e lokale dhe për zgjedhje me standarde më të larta demokratike.

Me këtë rast, ISP apelon Këshillin e Ministrave, që në përgjigje të rekomandimit nr.3 të Misionit të ODIHR/OSBE 2017, sipas të cilit “qeveria duhet të analizojë efektshmërinë e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit.

Ajo duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes në periudhën para dhe pas-zgjedhore. Kjo strukturë mund të ngrihet edhe në nivel vendor në një kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të radhës”, – duhet të kishte ndërhyjë për ngritjen e organit përkatës dhe miratimin e praktikave për një monitorim horizontal dhe vertikal të rasteve të keqpërdorimit të burimeve shtetërore e publike në fushatë elektorale.

Po ashtu, në zbatim të nenit 9 të Kushtetutës, partitë politike kanë detyrimin që “burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike”, parim i cili nuk është zbatuar asnjëherë dhe që kërkon detyrimisht të jetë prioritet thelbësor për partitë dhe institucionet. KQZ mund e duhet të bëjë akoma më shumë për jetësimin e këtij parimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb