Jesselyn Cook/ WorldPost

Burrat në Iran janë duke bërë fotografi “selfie” me perçe (të mbuluar nga koka) për protestuar ndaj ligjit që detyron të gjitha gratë në këtë vend të mbulohen. Mbajtja e perçes dhe veshja e rrobave të thjesht dhe të gjëra në ambiente publike, për të ndaluar ngacmimet me karakter seksual nga burrat, është bërë e detyrueshme për gratë me miratimin e ligjeve konservatore në vitin 1983, pas Revolucionit Islamik në 1979. Ndëshkimet për moszbatimin e këtyre rregullave mund të variojnë nga ndalime nga policia e deri në fshikullime me kamxhik. Por shumë gra kanë filluar të ngrenë krye.

Gazetarja iraniane Masih Alinejad (Masih Alinexhad) nisi në rrjetet sociale fushatën #MenInHijab (Burrat me perçe) për të nxitur burrat që të luanin një rol mbështetës për të drejtat e grave dhe të kërkonin ndryshim duke postuar fotografi të tyre me kokë të mbuluar. Në vitin 2014, ajo themeloi “My Stealthy Freedom” (Liria ime e fshehtë), një lëvizje “online” kundër sanksioneve detyruese për vënien e perçes.

Një burrë, i cili bëri një fotografi me perçe përbri mbesës së tij me kokë të zbuluar, përshkroi vënien e perçes si diçka që të bënte të përjetoje një ndjenjë të humbjes së identitetit që ishte “absolutisht e papranuar për një person të çliruar”.

“Vendosa të rrija pranë mbesës sime dhe të veja perçen, sepse e vërteta është se nuk që asnjeri të më marrë lirinë. Kështu që nuk mund të qëndroj indiferent ndaj dhunimit të lirisë së gjysmës së popullit tim”, shtoi ai. “Gratë, kur dalin nga shtëpitë e tyre në ambiente publike, duhet të lënë në shtëpi identitetin e tyre të vërtetë, dhe është një ndjenjë e tmerrshme që të kesh një identitet të dyfishtë gjatë gjithë jetës”

Unë sinqerisht dua që gruaja ime të mund të jetojë në një Iran ku ajo të mund të vendosë vetë se si të vishet”, shkroi një burrë tjetër, me një fotografi me të shoqen pranë. “Është me të vërtetë tepër e vështirë për gratë në Iran që të durojnë këto rroba që veshin në mes të stinëve tona përvëluese të verës, thjesht sepse duam të shmangim të nxisim zemëratën e zyrtarëve të vendit tonë”, përmbylli ai.

Alinejad nuk është dakord që ligjvënësit meshkuj t’u diktojnë grave se si duhet të vishen, gjë për të cilën ajo thotë se në fund cenon dinjitetin e tyre.

Këta janë burra që po marrin vendime për gratë. Ata nuk e kuptojnë se si është një gjë e tillë”, tha ajo për “WordPost”. “Për të qenë më e qartë ne nuk jemi kundër perçes. Kushdo që ta mbajë le ta mabajnë! Gratë në Iran nuk e zgjedhin dot”, theksoi ajo.

Aktivistja është shtangur nga numri i madh i burrave, të cilët i janë bashkuar lëvizjes që nga koha kur nisi fushatën e saj më pak se një javë më parë. Por kjo nuk ka ndodhur pa pasur disa reagime të ashpra.

“Njerëzit jashtë Iranit kanë reaguar duke thënë se ‘ti po rrënon karakteristikat e Islamit” apo “Islami nuk detyron njeri që të vërë perçe’. Ne duhet t’ua bëjmë të ditur atyre. Në Iran është e detyrueshme vënia e perçes. Në vende të tjera vënia e perçes është thjesht një normë kulturore”, tha ajo

Ka disa njerëz që thonë se ‘kjo është një çështje kulturore, nuk duhet të përzihemi’. Jo! Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut. Ne duhet të flasim për këtë. Nuk duhet të heshtim”, nënvizoi ajo.
(Përktheu Ilir Sinanaj/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: