Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha po zhvillon një takim me shqiptarët që jetojnë në Selanik, Greqi, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Ai u ndal në gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama ndërsa u shpreh se Rama mundohet të gjejë strehë në sharje e shpifje që të heqë vëmendjen nga vjedhjet dhe aferat.
“Sot fushata juaj kudo, është fushata e fitores, fushatë e optimizmit, fushatë e ngadhënjimit.
Ndiqeni fushatën tjetër. Fushata tjetër është fushata e poshtërimit të qytetarëve. Është fushata e e mashtrimit të shqiptarëve. Është fushata ku, burreci 2 metra i gjatë i trembur gjer në palcë flet çdo mëngjes me veten e tij, shan, turfullon. Fjalori i atij që urren shqiptarët: çyryk, autik, buf, hardhucë, zhapik, budalla.
Një fjalor i turpshëm. Një fjalor me të cilin, njëlloj si honi që kërkon të gjejë strehë. Kudo, përpiqet të gjejë strehë në banalitete për t’i shpëtuar përgjegjësisë që ka ndaj jush.
Qytetare dhe qytetarë të diasporës, kurrë mos harroni Kapshticën, se si ky i pashpirt, se si ky i pa nderë, se si ky antishqiptar ju la ju, në tokën e askujt në Kapshticë, në kohën e Covidit. 4 ditë, la shqiptarët.
Akt i cili, në të gjitha konventat ndërkombëtare të OKB-së përbënte krim kundër njerëzimit.
Miqtë e mi, fushata jonë është epërore, sepse ne vijmë me program, ai vjen me sharje e shpifje.
Ai bën kllounin, bën çdo gjë, vetëm e vetëm që të maskojë 130 milionë euro të vjedhura me djegësin e Tiranës.
Të maskojë 8300 m2 me vilën dy herë sa e Enver Hoxhës në Surrel, në një kohë kur kishte të deklaruara gjithësej 3800 euro.
Do të maskojë 120 milionë euro gjobë që iu vuri shqiptarëve, duke përzënë Beketin, sepse televizioni i tij e kritikonte.
Do të maskojë 21 milionë euro që shpenzon në udhëtime me avion taksi.
Shishet 33 mijë euro Romane Conti që hap për qejfet e tij.
Do të maskojë 224 mijë m2 tokë në Gjipe. Do të maskojë 38 mijë m2 tokë që i dha vëllait të tij.
Do të maskojë aksionet e vëllait të vet, apo të vetat në hotele 100 milionëshe të ndërtuara nga kompania 5D e bashkisë.
Miq, për të maskuar të gjitha këto, për të maskuar gjëmën që u bëri shqiptarëve, që i vidhisi në honet e varfërisë për të maskuar dëbimin masiv të tyre, është i aftë të bëjë çdo gjë”, tha ai.
(BalkanWeb)
