TORINO- Një nënë shqiptare gati është çmendur pas kërkesës së bashkëshortit italian për tu divorcuar dhe ka kryer një akt makabër, duke goditur me thikë djalin 7-vjeçar dhe më pas është vetëvrarë duke u hedhur nga ballkoni i banesës në katin e tetë.

Ngjarja e rëndë ndodhi sot në Torino të Italisë, në rrugën “Bologna”, në lagjen e populluar “Barriera di Milano”. Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, gruaja shqiptare u identifikua si Elida Zero.

Elida jetonte së bashku me burrin e saj italian dhe dy fëmijët dhe dyshohet se pikërisht sot i shoqi i ka kërkuar divorcin.

Fëmija i plagosur, Joeli, u transportua në spitalin pediatrik ”Regina Margherita” me plagë në bark dhe gjoks dhe disa lëndime në duar, që duket se i ka marrë gjatë tentativës për t’u mbrojtur.

Aktualisht, vogëlushi është në sallën e operacionit, nga ku raportohet se gjendja e tij konsiderohet e rëndë, por jo kërcënuese për jetën.

Policia, që po heton incidentin dhe ka shoqëruar në komisariat burrin për ta marrë në pyetje. Paraprakisht bëhet me dije se Elida vuante edhe depresioni dhe nuk e ka përballuar dot idenë e ndarjes.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb