TIRANË

Analisti Andi Bushati ka komentuar sot në rubrikën “Opinion” në News24 situatën në vend dhe zhvillimet e fundit. Ai e ka nisur me deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë, në lidhje me proceset ndaj personazheve të botës së krimit por edhe ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

“Lajmi i këtij njoftimi të ambasadës është përmendja e Saimir Tahirit. Në qoftë se në çdo vend normal një ambasadë do bënte një paralajmërim me emra do ishte jo normale. Ambasada amerikane me sa duket po ndihet 50% fajtore sepse është autorja protektorja e reformës në drejtësi. Një reformë që po ngjall zhgënjim tek shqiptarët. Rasti i Saimir Tahirit është një nga margaritarët e kurorës së këtij zhgënjimi”, deklaroi Bushati.

Ai tha se ‘SHBA me atë që ka bërë me reformën në drejtësi kanë bërë më shumë keq’. “Dëshmia tjetër është një prokurori e kapur. Ambasada amerikane këtu nuk sheh që po bën drejtësi por sheh se po i rrënohet e gjithë ngrehina që me mjete propagande ka mbështetur për 3 vjet me radhë. Pritej të sillte diçka të mirë por po sjell më shumë dëme se sa të mira”, u shpreh ai.

Por mbajti të hapur dyshimin se pikërisht ky dështim mund të sjellë dhe “koka turku”.
“Situata e kanosjes së dështimit të reformës në drejtësi e përmban në vetvete dhe rrezikun që thoni ju për koka turku. Unë nuk i di çështjet e drejtësisë dhe dosjet por politikisht Saimir Tahiri është i fajshëm. Pastaj se ç’janë në dosje i di drejtësia”, tha Bushati.

Ai foli dhe për dekretimin e Sandër Lleshit nga Presidenti i Republikës Ilir Meta si ministër i Brendshëm.

“Nëse ngërçi ishte vetëm çështja e statusit ushtarak pse Ilir Meta duhet të ngrinte gjithë atë furtunë në gotë dhe të thoshte vetëm se do të fliste me parlamentin në mënyrë të fshehtë?
Pse të thoshte se s’do ta lëmë Ramën të bëhet sekretar i parë? Motivet që e çuan Ilir Metën ta bymejë këtë histori janë të pabesueshme”, u shpreh Bushati.

I pyetur se nëse ka qenë shah kush fitoi, analisti tha: “Për mua kanë fituar të dyja palët. Rama fitoi Lleshin, Meta diçka tjetër”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb