TIRANË

Analisti Andi Bushati e sheh të vështirë dialogun mes maxhorancës dhe opozitës në këtë situatë ku ndodhet vendi dhe ku janë pozicionuar palët. Në studion e News24, në rubrikën “Opinion” Bushati tha se ka një hendek të madh me kryeministrit dhe lideri të opozitës.

“Në pozicionet që janë barrikaduar palët është shumë e vështirë të ketë dialog. Opozita thotë gjithçka përveç Ramës. Rama e përmendi sot thotë gjithçka tjetër por përveç asaj që mua nuk më lejohet ta bëj apo të shpërdoroj mandatin që më ka dhënë populli. Ka një hendek të madh. Të flasësh kur zgjidhja duket shumë larg nuk ka kuptim”, tha Bushati.

Referuar situatave të ngjashme në të kaluarën kur maxhoranca e sotme ishte opozitë, Bushati tha se ndryshimin e bëjnë dy vendime, djegia e mandateve dhe moshyrja në zgjedhje. Sa i përket një negociatori, ai nuk u shpreh optimistë as për Presidentin dhe as për ndërkombëtarët.

“Këtu është gjetur një dalje në ndryshim nga dy rastet e mëparshme. në rastet e mëparshme opozita ka qenë brenda parlamenti dhe nuk ka thënë s’do marrim pjesë në zgjedhje. Me këto dy lëvizje opozita mirë apo keq e ka thelluar hendekun.

Meta e ka të pamundur të luajë arbitrin. Ndërkombëtarët kanë luajtur dy role, e para të luajnë rolin e indiferentit deri tani dhe e dyta janë afishuar pothuajse në mënyrë të hapur me maxhorancën, qeverinë, stabilitetin etj. As nga këto dy palë që përmendët nuk duket se ka një dritë në fund të tunelit për t’u ofruar si arbitër”, tha Bushati.

Po sa mund të zgjasë kjo situatë në vend?
“Tensioni do vijë duke u rritur por është nga ato tensionet artificiale. Por në kuptimin që do ndodhë një tërmet i madh nuk duket. E para se opozita nuk është aq e fortë sepse nuk ka atë potencial skalionesh të dukshme. Pavarësisht ekseseve të qeverisë ka gjithmonë një ruajtje nga kjo maxhorancë që të mos bëjë gafën e Berishës në 21 janar. Nga të dyja palët shkon e përpjestuar. Mekanizmi i frenimit është gjithmonë prezent”, tha ai.

Lidhur me ftesën e Ramës për Bashën dhe përjashtimin e Kryemadhit, Bushati është i mendimit se kryeministri ende nuk e pranon LSI-në e Kryemadhit. Sipas tij problemet nëse zgjidhen, ndodh mes Ramës e Bashës.

“Që kur rolin e shefes së LSI po e luan Kryemadhi, Rama ka një lloj ose qasje ironike ose shpërfillëse nuk e pranon. Duket sikur Rama thotë pranoj LSI-në e Ilir Metës jo të bashkëshortes së tij. Në fakt nëse zgjidh ndonjë problem, Rama e zgjidh me Bashën.
Po të kthehemi në fillim të krizës, ishte një vendim i Bashës, aleatët u vunë para aktit të kryer. Nëse do ketë zgjidhje do vendoset mes këtyre dy forcave”, u shpreh Bushati.

Për sa i përket efekteve të situatës politike në ekonominë e vendit, Bushati tha se nuk shkatërrohet ekonomia nga protestat.
“Ky rrezik do ishte për t’u marrë seriozisht nëse Shqipëria do ishte para një bumi investimesh nëse do vinin si në Serbi firmat e mëdha europiane për të investuar.
Në Shqipëri gjithë biznesin e gjithë paratë i ndan Edi Rama me 9 shqiptarë. Këta e kanë mbyllur. Në këtë kuptim të ngrihesh kundër gjithë kësaj klime të një Shqipërie që punon për 9 veta dhe të thuash që ata po shkatërrojnë ekonominë e vendit është absurde. Ekonomia e Shqipërisë nuk po shkatërrohet se ata po protestojnë, ekonomia shkatërrohet nëse vazhdon kjo situatë”, tha Bushati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb