Në Shkodër u zhvillua një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave mjedisore dhe aktorë lokalë, për shndërrimin e Liqenit të Shkodrës në atraksion dhe destinacion turistik. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, drejtuesi politik i qarkut Shkodër Ditmir Bushati, përfaqësues vendor, shoqata turizmi diskutuan një plan zhvillues dhe platformë të plotë të aktiviteteve rekreative dhe festa lokale, për ta shndërruar Shirokën dhe gjithë zonën e Liqenit në destinacion për pushuesit e huaj dhe vizitorët vendas.

Në fjalën e tij Bushati u ndal tek investimet e qeverisë për këtë qark dhe nevoja për më shumë kreativitet nga ana e pushtetit vendor për të tërhequr sa më shumë investitorë për këtë qytet. Sipas Bushatit, propozimi i Ministrit Klosi për të kthyer në traditë festën e krapit, e identifikon Shkodrën me një festë të tillë, e cila nga ana tjetër krijon mundësinë qytetarëve që të kenë më shumë argëtim përmes organizimeve të tilla sociale.

“Mendoj që gjëja kryesore është të nxjerrim liqenin nga gjumi, për të kthyer gradualisht në një ekonomi për qytetin dhe për të pasur mundësi që ta kalojnë kohën në mënyrë kreative për njerëzit që vijnë nga jashtë Shkodrës”, nënvizoi ai.

Aktivitet është zhvilluar në kuadër të diskutimit që ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka nisur në të gjitha zonat e mbrojtura të Shqipërisë, me qëllim sigurimin e një pasaporte për çdo zonë të mbrojtur dhe shndërrimin e tyre në destinacione turistike.

“Zona e liqenit të Shkodrës padyshim mund të shndërrohet fare lehtë në një destinacion të vërtetë turistik, që është jo vetëm i bukur, jo vetëm mikpritës, por që ka edhe rregulla menaxhimi. E kush më mirë se komuniteti që jeton me liqenin, që e shfrytëzon atë, do duhej të ishte diskutanti i parë për këtë temë”, nënvizoi ministri Klosi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb