Ditmir Bushati e nis sezonin e ri të Public Square me Shqiptarët dhe të ardhmen europiane të Malit të Zi.

Në një bisedë me Zëvëndëskryeministërin e parë dhe ministrin e ekonomisë Nik Gjeloshaj, Bushati diskuton për zhvillimet politike në Malin e Zi, por edhe për raportet dhe projektet e ndërlidhshmërisë në hapësirën shqiptare, që në këtë rast prekin Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Për Ditmir Bushatin situate politike në Malin e Zi ka dy shkolla mendimi, njëra që beson se vendi është në një rrëmujë politike, pas lënies së pushtetit nga partia e presidentit Milo Đukanović, dhe një shkoll tjetër disi më optimiste, e përfaqësuar nga Presidenti Jakov Milatović I cili e sheh vendin në BE.

Ndërsa Nik Gjeloshaj mbështet idenë se Mali i Zi përsa i përket integrimit europian është në hapat më të mëdhenj që ka pasur në këto tridhjetë vitet e fundit.

Bushati diskuton vecanërisht për Shqiptarët në Mal të Zi, të cilët janë konsideruar gjithnjë si një faktor përcaktues i zhvillimeve pozitive dhe i trajektores euro-atlantike të vendit, por sot, duket sikur roli i tyre është disi më i kufizuar, më i relativizuar, përsa kohë që aleanca qeverisëse është shumëngjyrëshe dhe shumëdrejtimëshe.

Sipas Gjeloshaj, “koha shpejt ka me e dëshmu se për shqiptarët në Mal të Zi kur të flitet do të flitet për kohën para dhe prej krijimit të Forumit Shqiptar për përparimin politik, ekonomik dhe për integrimin e shqiptarëve nëpër institucione” dhe strategjia e ndjekur ka bërë që ”të jemi faktor politik shqiptar me aq sa marrim peshën prej qytetarëve dhe si të tillë të kemi peshën tonë politike, autoritetin tonë politik ndaj strukturave të tjera politike në Mal të Zi dhe njëkohësisht para faktorit ndërkombëtar”.

Bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek projektet e ndërlidhshmërisë mes Malit të Zi me Shqipërinë por dhe Kosovën. “Në të gjitha pjesët ku jetojmë shqiptarët, jemi duke realizuar projektet ideore të autostradave të shpejta që do të lidhin Tuzin me Hanin e Hotit, me Podgoricën, që do lidhin Ulqinin me Shqipërinë, Tivarin dhe Podgoricën”, thotë Gjeloshaj. Një tjetër projekt I rëndësishëm është projekti i pikës kufitare I cili është në fazën e ndërtimit në shtetin amë, ndërsa dy projekte shumë të rëndësishme që lidhin Ulqinin me Velipojën dhe njëkohësisht tjetrit që Buna të jetë e lundrueshme, janë bërë parashikimet buxhetore që këtë vit.

Ndërsa në raport me Kosovën, Gjeloshaj thotë se është me shumë rëndësi që të përfundohet rruga Plavë-Deçan që është shumë me rëndësi për shqiptarët, për Kosovën, por dhe për Malin e Zi, për zhvillimin e ekonomisë dhe sigurimi I fondeve nga Bashkimi Europian për korridorin e autostradave që lidhen me Europën që lidh Andreovicën me Pejën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb