TIRANË

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka qenë i ftuar në emisionin “A Show” në News 24, ku ka fol për vështirësitë gjatë negociatave me Greqinë. Ai i ka cilësuar si ministrinë e jashtme greke ashtu dhe atë serbe si shkëmb graniti, për sa i takon qëndrimeve të tyre të palëvizshme.

Përballë doktrinave serbe e greke, Ministri Bushati ka folur  për doktrinën e politikës tonë të jashtme të ajo e fqinjësisë së mirë në raport me fqinjët dhe promovimi i të drejtave të shqiptarëve. Bushati ndan bindjen se shqiptarët në rajon gëzojnë më shumë liri dhe të drejta, siç është rasti i shqiptarëve të Maqedonisë, ku si rezultat i të ashtuquajturës “Platforma politike e Tiranës”, sot kemi më ligjin e gjuhëve apo dhe përfaqësim më dinjitoz të shqiptarëve në institucionet e rëndësishme.

Adi Krasta: Ja ku ka mbërritur Ministri Jashtëm në studio. Zoti Bushati, përshëndetje. Më vjen shumë mirë që sot je në televizion. Ti bën rrallë televizion, po?

Ministri Bushati: Normalisht, as shumë as rrallë.
Çfarë ka ndodhur në Brazil?
Momentalisht është zgjedhur Presidenti i ri i Brazilit.

Jo, gjatë një vizite që është folur shumë në Shqipëri kur ju keni qenë atje?
Unë kam qenë në një vizitë në Brazil dhe në Argjentinë, si pjesë e turit në Amerikën e Jugut, të cilat janë vende të rëndësishme, por që rrihen pak nga ne.

Ju u shqetësuat që në Shqipëri zien flluska e thashethemit online dhe ku secili nga ne ka qenë objekt, por ne e dimë se punojmë… Po ju si e përballoni këtë logjikën që mund të përfundoni në disa tituj të tmerrshëm?
Absolutisht, kjo është thjesht një histori e sajuar me shpifje 6 muaj apo 1 vit pasi ka ndodhur vizita në Brazil.

Në fakt për hir të së vërtetës kështu dalin zakonisht.
Më të cilën si gjithmonë doktori ka qenë megafoni kryesor.

Ok….Greqia. Ka një ndjesi që ndërkohë që marrëdhënia juaj me Kotsias ka qenë shumë e vjetër dhe personale, pothuaj e sheqerosur thanë burime, por që marrëdhënia me Greqinë ka qenë tradicionale edhe gjatë kësaj periudhe që është dhënë një ndjesi që po ndodhin gjëra të mira dhe ndërkohë gjëra të mira nuk kanë ndodhur, përveç patentave.
Është e vërtetë, sidomos periudhën e fundit, kemi prapë një rikthim në llogore dhe më shumë ka deklarata dhe retorikë sesa veprime konkrete. E kam vënë re dhe personalisht që për Ministrin e Jashtëm apo për një politikan, është shumë herë më e thjeshtë të bësh një deklaratë sesa për t’u ulur dhe për të gjetur zgjidhje në tryezën e bisedimeve sepse zgjidhjet në tryezën e bisedimeve janë gjithmonë më të vështira. Në disa raste nuk janë fort popullore dhe në disa raste nuk mund të jenë domosdoshmërisht ato që njëra nga palët mendon se është zgjidhja finale.

Më ka bërë një përshtypje në rrethet gazetareske që gjatë periudhës që ju keni negociuar me Kotzias për probleme të forta, siç janë për shembull 12 miljet… Ju duket normale ndjeshmëria popullore për ato 12 miljet, po?
Ndjeshmëria popullore është normale që të jetë në lidhje me të gjithë paketën që ne po diskutojmë, nuk është vetëm çështja e detit, kemi dhe dy marrëveshje të tjera që ne po diskutojmë me palën greke për sa i përket kufirit tokësor. Besoj se në periudhën e fundit edhe ju mund t’ju ketë bërë përshtypje fakti se ka një tendencë për të lidhur territore të caktuara që sot për sot janë pjesë të Republikës së Shqipërisë, në një kontekst apo me një konotacion të caktuar historik dhe ka një intensifikim për fat të keq nga ana e Greqisë në këtë drejtim. Nuk mund të them që është qeveria, por ka qarqe politike që e thonë thuajse hapur. Ka çështje të natyrës historike që e kanë origjinën që tek ligji i luftës.

Stop. Pse marr ndjesinë që ju nuk e dashuroni shumë historinë?
Jo, unë…

Nuk mund të them që Reiz Malile ishte njohës i madh, po si me thënë e keni parë historinë me Greqinë në fiorniturat dhe tonalititetet që ministri i jashtëm Kotsias e ka parë?
Përkundrazi edhe sikur të mos e dashurosh historinë, politika e jashtme është konseguencë e historisë dhe gjeografisë së këtij raporti. Kjo është edhe arsyeja pse ne me fqinjët kemi më shumë çështje, s’po them fjalën problem, për të zgjidhur.

Të diskutueshme.
Kjo është edhe arsyeja pse ndonjëherë të duket vetja se ne diskutojmë në logjikën e Luftës së Dytë Botërore apo të shek. XX për problem apo mbisfida të shek XXI.

Fjala vjen, do të zgjidhet sipas optikës suaj dhe analizës së deritanishme gjatë periudhës suaj në mandate si ministër për herën e dytë ligji i luftës?
Unë jam besimplotë që për sa i përket shfuqizimit të ligjit të luftës, kjo do të ndodh. Ka një dakordësi për ta shfuqizuar ligjin e luftës, që është bërë publik edhe nga qeveria greke. Për herë të parë kemi një pranim të tillë publik, sepse deri para pak kohësh pretendohej që nuk ekziston apo është një relike e së shkuarës dhe jam po ashtu besimplotë që shfuqizimi i këtij ligji do të pasohet gjithashtu edhe me shfuqizimin e të gjitha pasojave ligjore që pengojnë qoftë qytetarët shqiptar apo shtetin shqiptar, por edhe përfaqësuesit e pakicës kombëtare greke, që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë prona të sekuestruara bazuar mbi këtë ligj.

Në raport me pronat ka folur para dy ditësh Micotaqis në kongresin e partisë së tij. Ai ka fajësuar kryeministrin se me një veprim individual ose me praninë e tij për shembull në Himarë ka bërë një tjetërsim të pronave ose në një kuptim Himarën e ka destabilizuar në rast se do mund ta shohim nga optika greke, kjo nuk është më një plazdar i problematikave më shumë të folura se çdo ndodhi tjetër, por edhe incidentet nuk është se nuk kanë ekzistuar. Si me thënë, ju bën përshtypje një deklaratë e tillë e Micotaqis, ose më saktë ju bën ju përshtypje si Ministër i Jashtëm, sentimentet e shprehura pak agresivisht atje apo ju dini diçka nga Ministri i Jashtëm në një tetë a tetë që si me thënë “lëri të flasin se ato që shkruhen janë ato që fliten midis nesh”?

Ka një dallim thelbësor ndërmjet Greqisë dhe një pjese të mirë të vendeve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë për fat të keq, ku nga desku, pra nga specialisti më i fundit në Ministrinë e Punëve të Jashtme deri tek Presidenti i Republikës, kur vjen puna për çështje të interesit kombëtar flasin të gjithë njëlloj dhe mund ta them edhe publikisht, duke qenë se ky është një emision paksa tipik nga formati që përgjithësisht MPJ Greke dhe MPJ Serbe janë dy ministri në rajon që janë relativisht shkëmb graniti.

Pra janë monolitike dhe të palëvizshme?
Janë monolitike dhe të palëvizshme, por qoftë tek deklarata e Micotaqis qoftë tek deklarata e MPJ greke është e bazuar mbi lajme të rreme.

Pse?
Sepse së pari bëhet fjalë për një vendim të qeverisë shqiptare, i cili kërkon të marrë në shqyrtim pronat që kanë statusin shtetëror, për qëllime të investimeve në fushën e turizmit. Pra nuk bëhet fjalë për prona….

Për të marr nga dikush dhe për t’ia dhënë dikujt.
…të cilat mund të jenë në dispozicion sot të një qytetari privat

Ju përmendët dy ministrit e jashtme, atë të Serbisë dhe të Greqisë. Ato kanë nga një doktrinë në raport me shqiptarët.
Janë monolite siç e përmendët.

Përveç këtyre kanë nga një doktrinë. Doktrina e mbështetur nga ministria e jashtme dhe nga “think tank-et” e Serbisë është “Naqetanie” kurse këta kanë atë litarin e Vorioepirit. Me të dyja këto doktrina ata na mbajnë ne të angazhuar zoti ministër. Ju ka bërë ju personalisht përshtypje si një ministër për një periudhë relativisht të gjatë, ju tani mund të krahasoheni dhe me Nesti Nasen për jetëgjatësi në pozicion, çka në një kuptim, në Shqipërinë e ndryshimeve të befta mund të konsiderohet një ngjarje pozitive, që ne nuk kemi një doktrinë?
Nuk është e vërtet që ne nuk kemi një doktrinë por ne nuk kemi pasur…

A mund të ma thoni ju se cila është doktrina, e emërtuar?
E para, doktrinën e emërtuar ne e kemi të specifikuar në raport me fqinjët dhe në raport me fqinjësinë e mirë që bëjmë përmes promovimit të të drejtave të shqiptarëve dhe tek promovimi i të drejtave të shqiptarëve, unë mund të fus qoftë “Çështje çame”, sepse bëhet fjalë në fund të ditës jo për një pretendim territorial po për një çështje thelbësisht të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. E kemi shpjeguar këtë edhe me palën greke nëpërmjet një materiali që ne besojmë që është shterues dhe që është dorëzuar zyrtarisht se cili është koncepti ynë mbi këtë çështje dhe si mundet kjo çështje të adresohet në përputhje me parametrat që mund të kërkohen.

Po kjo që keni bërë ju deri tani, kjo mbrojtje e shqiptarëve në zona, nuk e di si Çamëria apo Maqedoni apo etj etj, kjo nuk i ka detyruar ata siç na detyrojnë ata ne me dy doktrina relativisht agresive.
Unë nuk do të isha dakord me juve. Sot për sot në Maqedoni ne kemi një realitet krejt tjetër. Për herë të parë kemi Kryetarin e Parlamentit nga shqiptarët e Maqedonis.

Nga i cili ju si ministri apo si qeveri nuk keni as me të vogli por më të voglin fare…
Më vjen keq të të kundërshtoj por kjo qeveri ku unë bëj pjesë ka qenë në një klinicizëm të vazhdueshëm për të ashtuquajturën “Platforma politike e Tiranës” e cila u keqinterpretua pas një fotoje të Kryeministrit me faktorin politik shqiptar, faktori politik shqiptar për hir të së vërtetës.

Po është e vërtetë vetëm për atë thirrje që i ka bërë Kryeministri atyre disa herë në Tiranë ju patët një ngacmim nga Mogherini…
Në fakt nuk është thirrje. Nuk është thirrje bëhet fjalë për një platform të partive politike

Jo në fakt thirren në Tiranë.
Shqiptarët në Maqedoni, e cila u nxit nga ana e qeverisë shqiptare, nga ana e kryeministrit dhe besojmë që roli që luajtën shqiptarët në ndryshimet që më pas pësoj Maqedonia ishte përcaktues për atë që ne shohim sot, edhe për marrëveshjen e Prespës edhe për një klimë më të mirë ndëretnike dhe për një përfaqësim më të mirë. A ka përfunduar procesi i vënies në barazi të të drejtave ndërmjet dy komuniteteve kryesore shqiptare në Maqedoni, natyrisht që jo. Sot për sot, sot për sot…

Pra si me thënë aty praktikisht e vetmja gjë që ka lëvizur me praninë tuaj ose me komunikimin tuaj dhe të qeveris shqiptare ka qenë ne fakt se nuk e di si e keni kamrizuar ju elementin shqiptar në raport me ndryshimin e emrit me marrëveshjen finale greko-maqedonase.
Absolutisht një pjesë e marrëveshjes së Ohrit është e korporuar në Kushtetutë që në preambulën e Kushtetutës, kemi ligjin i cili ende nuk ka hyrë në fuqi për përdorimin e gjuhës shqipe, pra hapa pozitiv janë hedhur në këtë drejtim në Maqedoni por që ende jemi larg kushteve për të pasur një barazi të plotë mes dy komuniteteve. Vazhdojmë me Malin e Zi.

Stop, pse marr unë ndjesinë personale qe juve Ballkani ju duket i parëndësishëm i pa mjaftueshëm, ju personalisht si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe pse marr unë ndjesinë që ju nuk jeni ministri i të gjithë shqiptarëve, nga mënyra se si silleni, politikisht e kam fjalën, nga mënyra e deklaratave nga reagimet e MEPJ në raport me ngjarje specifike Kumanova. Jeni ju ministri i jashtëm i Shqipërisë, jo ministri i jashtëm i shqiptarëve?
Natyrisht që unë jam ministri i jashtëm i Shqipërisë dhe nuk pretendoj të jem ministri i jashtëm i shqiptarëve.

Gabim i rëndë dhe serioz!
Po le të jetë, Kosova ka ministrin e jashtëm të Kosovës.

Sipas mendimit tuaj Daçiç është ministri i jashtëm i të gjithë serbëve?
Nuk mendoj se Daçiç  është ministri i jashtëm i të gjithë serbëve por duhet thënë që Shqipëria ka një pozicionim të ndryshëm ka një peshë specifike të ndryshme sepse konsiderohet vendi amë, qoftë amë.

Më fal mund të konsiderohet qasja diplomatike e Shqipërisë pak zbythëse?
Absolutisht jo! Për herë të parë, sepse nuk dua tani të listoj çështje të cilat mund të konsiderohen si suksese në politikën e jashtme, se nuk dua të krijoj as ndjesinë në këtë studio që çdo gjë është bërë mirë dhe nuk ka nevojë për përmirësime. Por, për herë të parë me Greqinë, ne kemi vendosur në një tryezë, besoj në mënyrë dinjitoze të gjitha çështjet të cilat nuk ishin vendosur më parë. Ju e kujtoni që pas vitit 2009 dhe pas shfuqizimit të vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, Greqia thoshte që pozicioni zyrtar i Greqisë ishte që Marrëveshja e Detit, për ta, funksionon dhe është në fuqi. Ne nuk e kemi njohur në asnjë moment dhe sot, jemi riulur në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje të re për detin. Kjo nuk do të thotë që Greqia është ulur dhe do të ushqejë, le të themi, ambiciet tona, apo filozofinë tonë, apo do të na japë një rezultat…

Ajo është aty për të realizuar platformën e vet, ne jemi këtu për të folur për platformën tonë.
Absolutisht! Secili është në platformën e vet. Të njëjtën gjë mund të them për raportin strategjik që është vendosur me Kosovën e formalizuar në mbledhjen e parë të vitit 2014 në Prizren. A duhet të bëhen shumë gjëra më tej?

Bëtë mirë që ma kujtuat Kosovën. E keni zgjidhur ju zoti Bushati çështjen përfundimtare të Abetareve në shkollat, sidomos në ato të Preshevës e Bujanocit, që e keni folur shumë gjatë periudhës parazgjedhore.
Është një çështje, të cilën ne çdo vit e kemi trajtuar në kordinim të plotë me Qeverinë e Kosovës.

Por pa e zgjidhur.
Sot për sot, bëjmë një rakordim, qoftë edhe me Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe me dy institucionet përkatëse.

Ju jeni për shkëmbim territoresh?
Për në Preshevë dhe kjo është një çështje e cila është e trajtuar, por vit pas viti.

E kuptova. Jeni ju për shkëmbim territoresh?
Shkëmbim territoresh mes kujt? S’ju kuptoj.

Midis Kosovës dhe Serbisë. Domethënë pjesa e lartme e Mitrovicës pas urës dhe teqja e Bujanocit?
Unë jam për një marrëveshje, e cila në radhë të parë do të sigurojë njohjen e Kosovës shtet, nga ana e Serbisë…

Po sikur të duhen sakrifica të mëdha për këtë?
Do të pranohet nga të dy palët, sepse në fund të ditës që të kemi një marrëveshje do të duhet që të dy palët ta pranojnë. Dhe së treti jam për një marrëveshje e cila është e zbatueshme në praktikë. Shton elementët e garancisë dhe të sigurisë në Rajon dhe siguron perspektivën euroatlantike.

Në Kosovë ju kanë, jo ju personalisht, ndoshta edhe ju, por sidomos Kryeministrin e kanë akuzuar fort për dy qëndrime të cilat përplasen me njëri-tjetrin. Neglizhencë, indiferencë, mosnjohje dhe paternalizëm agresiv publik. Keni ju një lloj ndjeshmërie personale që praktikisht, në mos ekzaktësisht kështu, një version i kësaj marrëdhënie me Kosovën ndodh?
Mendoj që Kryeministri…

Ju nuk i merrni në konsideratë Ministrat e Jashtëm të Kosovës kam përshtypjen…
Mendoj që Kryeministri dhe kjo Qeveri ka qenë shumë pranë Kosovës në të gjitha etapat që Kosova kaloi.

Pse janë të pakënaqur ata nga ju?
Natyrisht që edhe unë po të isha në vendin e tyre do të isha edhe më i pakënaqur. Pse? Në disa raste Kosova është në kërkim të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar dhe kërkon që të ketë identitetin e vet me të drejtë. Në disa raste të tjera, për disa shtigje që kërkon të hapë kërkon që Shqipëria të jetë edhe më e fortë edhe më pak diplomatike.

Ju po lexoni një problematikë në optikën dhe në sjelljen e tyre, jo domosdoshmërisht në optikën dhe në sjelljen tuaj.
Dhe në disa raste, qëndrimet e Shqipërisë mund të interpretohen gabimisht do të thosha, si qëndrime në mbrojtje të njërit apo tjetrit. Bie fjala, po marr qëndrimin e fundit të Kryeministrit Rama që shkaktoi shumë debat në media, apo në qarqet politike në Kosovë. Kryeministri nuk tha që, edhe ju mund ta verifikoni këtë gjë, nuk tha që unë mbështes…

Kryeministrin nuk e verifikojmë dot më.
…unë mbështes Hashim Thaçin dhe kush kritikon Hashim Thaçin është gomar. Bëri një referencë të luftës, e cila politikisht drejtohej nga Hashim Thaçi dhe në kontekstin e luftës tha që kush e akuzon për tradhtar mund ta konsideronte gomar, pra të akuzosh dikë për tradhti, apo edhe për gabim, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Zoti Ministër fjala gomar flet në vetvete. Rrotullimet stilistike në raport me njerëz që janë shumë të lumtur për…
Kamera Ministrin jo mua ju lutem, se buzëqeshja e Ministrit flet sa mijëra fjalë herë pas here.
Po më pëlqen se ky është një bashkëbisedim edhe kulturor në një sens. Më vjen mirë që përmendët Kryeministrin.

Ne mendojmë që ju nuk mund të “outshine”, pra ju nuk mund të shëndrini ndërkombtarisht sa Kryeministri. Nëse do ta bënit, ai do të reagonte shumë fort ndaj jush, është kështu?
Ministri i Jashtëm dhe Kryeministri në një demokraci parlamentare…

Pse jeni ju i pakënaqur?
Duhet të bashkëpunojnë ngushtë…

Pse jeni ju i pakënaqur ndaj tij?
Nuk kam asnjë pakënaqësi ndaj Kryeministrit.

Jo zotëri, nuk më rezulton kështu. Mua më rezulton, nga burimet e mia të forta…
Ku janë këto burime?

Gazetarët kurrë nuk i deklarojnë burimet e tyre.
…që ju, nuk po përdorim atë termin që ai përdori për Thaçin, por ju mendoni që nuk e keni në kontroll këtë djalin, si me thënë indirekt. Mund të ndodhë kështu? Një njeri që flet për gjithçka vazhdimisht, sistematikisht. I keni thënë ju atij, për shembull, që të mos veshë atlete Adidas, se është turp?
Më pyetët pak më parë, sesi reagon Ministria e Jashtme apo Ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe jo në çdo lloj rasti, Ministria e Jashtme, apo Ministri i Jashtëm e ka luksin që të reagojë në përputhje me pritshmërinë që mund të ketë opinioni publik, apo mazhoranca e opinionit publik. Dhe pozicioni i Ministrit të Jashtëm është një pozicion në vetvete disi i ndrydhur, në dallim nga institucionet e tjera. Kryeministri i Republikës është lideri në të njëjtën kohë i mazhorancës. Dhe në këtë kontekst…

E kuptova. Kjo është Nardndokiste, faleminderit.
Jo jo, në këtë kontekst duhen kuptuar edhe ndarja e roleve edhe në artikulimin publik.

Domethënë ju nuk e qesëndisni atë nëpër tavolina….
S’ka kuptim, sepse po të qesëndisja Kryeministrin, në kabinetin e të cilit shërbej, unë më mirë duhet të iki nga kjo detyrë, sesa të bëj një gjë të tillë.

Kur jam ulur për herë të parë në tryezën e NATO:s, një nga gjërat që më ka bërë përshtypje, meqenëse ndoqa edhe emisionin e një prej kolegëve të mi këtu, ishin deklaratat e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Dhe, në çdo moment ka një referencë ndaj Presidentit…

Ju i referoheni Pompeos
Kerry, i cili ka qenë kandidat presidencial, Hilary e cila ka qenë kandidate presidenciale. Pompeu nuk ka qenë, por edhe Tillersonit, ndaj të cilit ne lexuam tweet:et e famshme të Presidentit Trump, pra është një linjë. Linja zyrtare e Ministrit të Jashtëm është në një linjë shumë të ngushtë komunikimi me Kryeministrin në një demokraci parlamentare, apo me Presidentin në rastin e SHBA-ve.

Është e vërtetë që ju nuk keni shkuar me ish-drejtuesen e delegacionit të Bashkimit, në nivel personal po flas, që ishte në Tiranë para Sorretos? Jo.
Niveli personal është një gjë që secili prej nesh e përcakton vetë.

Ju nuk jeni njeriu më i thjeshtë.
Mund të mos jem ndoshta njeriu më i kollajtë, për t’u administruar në nivelin personal. Ndërsa në nivel institucional, çdo gjë…

Ka një shqetësim që marrëdhënia juaj me Mogherinin, është e tillë personalisht, që bëhet vetëm për të lehtësuar, në një kuptim, shkëlqimin dhe pranimin që Mogherini duhet të ketë ndaj Ramës. Ndoshta dhe për shkak të marrëdhënieve dhe këtu e futa edhe shefen e delegacionit, për të cilën është thënë që mazhoranca ka ndihmuar që ajo të vijë në Shqipëri, për të bërë atë performancë që bëri praktikisht.

Nuk kam për të komentuar kurrë ambasadoret që punojnë në Shqipëri, sikundër personalisht, që në ditët e para, e deri më sot.

Më pëlqen. E keni konsideruar ju…
Unë sot e konsideroj Ambasadorin qoftë të vendit më të rëndësishëm të botës, e deri tek një vend që ne kemi pak marrëdhënie, si Ambasador i atij vendi në Republikën e Shqipërisë. Besoj se pas tre dekadash tranzicion, ka ardhur momenti që t’i demistifikonim edhe Ambasadorët. Përsa i përket përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme, Mogherini, ne kemi një raport jashtëzakonisht të mirë. E konsideroj fat që një italiane mban këtë portofol dhe ka këtë vëmendje ndaj Rajonit…

E konsideroni fat në ç’kuptim? Ajo nuk ju futi në BE? A nuk është ky një dështim i Ministrisë ose i saj, ose i qeverisjes?
Nuk është përgjegjësia e saj për të futur një vend në BE. Kanë qenë dy njerëz kyç në avancimin, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera.

Ju duket normale që Mogherini nuk flet për protestat në Shqipëri? Si një ngjarje relativisht e rëndësishme e jetës…
Ju jeni njeri i lexuar, i shkolluar dhe me eksperiencë edhe në BBC, përveçse në median shqiptare. Mendoj që është fat, shpresoj që t’ju duket kjo nardndokiste.

Jo më duket blasfemike. Është fat që ajo sheh me një sy pozitiv qeverisjen në Shqipëri, për të mos ta gjykuar atë.
Në Shqipëri ka një protestë. Është fat mendoj që pas kaq vitesh të kemi një protestë, e cila deri para pak ditësh në këndvështrimin tim ishte një protestë totalisht genuine, e nxitur nga rrethana specifike në botën…

Unë kam përshtypjen që këtu tregoheni ju inteligjent, por jo i kollajtë, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër. Nuk është për rrethana specifike. Nis për rrethana specifike, është një tregues për gjendjen e pakënaqur të njerëzve në këtë vend, ose ndoshta ne nuk e kuptojmë më këtë vend dhe na thonë që ne nuk e marrim vesh më këtë vend.
Po kjo që thoni ju mund të jetë e vërtetë. Çështja për të cilën ju më pyetët është se pse nuk flet Mogherini për protestën e studentëve. Protesta e studentëve…

Ose për probleme të tjera të rëndësishme të Shqipërisë…
Edhe unë shpresoj shumë që të vijë dita që ne mos të themi më çfarë mendon Evropa, çfarë mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Pse Mogherini e gjeti të udhës, për shembull që të bënte deklarata shumë të ashpra kur qeveria e Kosovës do krijonte ushtrinë? Çfarë e shqetësonte Mogherinin? Pra, ky është një problem për të cilin mund të shqetësohet Serbia, jo Mogherini.
Nuk më takon mua që të jem interpret i Mogherinit në këtë pikë, por mund të them që…

Mund të jeni ju interpret i Qeverisë së Kosovës apo i Ministrisë së Jashtme të Kosovës?
Mund t’ju them vetëm një gjë. Në momentin që kam dalë nga salla e NATO-s, duke qenë se në NATO para pak ditësh u diskutua në një segment të posaçëm Ballkani Perëndimor dhe dialogu Serbi- Kosovë, përfshirë dhe transformimin e forcave të sigurisë në ushtri në Kosovë, më pas Sekretari i Përgjithshëm mbajti një qëndrim disi të ashpër. Kam marrë telefonata përveçse se nga Kryeministri dhe Ministrja e Mbrojtjes edhe nga përfaqësues të lartë të qeverisë dhe të politikës së Kosovës dhe këtu është mirë që të dallojmë një çështje e cila është e rëndësishme.

Ma dalloni me një frazë
…që katër anëtarë nga e gjithë familja e NATO-s nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Kjo është edhe arsyeja pse Sekretari i Përgjithshëm kur i drejtohet Presidentit të Kosovës apo Kryeministrit të Kosovës i drejtohet si zoti Thaçi apo zoti Haradinaj jo në rëndësinë e tyre institucionale. Dhe në një rast të tillë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i duhet që të mbajë një balancë mes vendeve që e kanë njohur dhe vendeve që nuk e kanë njohur.

No politik. E qartë!
NATO është një organizatë që funksionon mbi bazën e konsensusit. Maqedonia qëndroi nga 2008 e deri tani në listën e pritjes për shkak se Greqia kundërshtonte anëtarësimin e saj. Pra duhet të marrim informacionin dhe dijen e duhur për disa çështje e të mos krijojmë fonde të paqena lufte apo armiqësie me institucione që në fund të ditës bëjnë punën e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet për Mogherinin. Janë 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian, dy prej tyre janë shprehur me tone disa herë më të ashpra në mbledhje në raport me çfarë po ndodh dhe si përfaqësuese e politikës së jashtme I duhet të balancojë të gjithë spektrin të cilin ajo përfaqëson.

Dy pyetje të fundit. Keni ju një raport dashuri-urrejtje me Turqinë si ministër i jashtëm? Edhe si individ se Ministri i Jashtëm është individ.
Turqia është një partner strategjik në kuptimin rajonal të fjalës dhe kjo është një element i dytë i doktrinës tonë kur ne kemi folur për partner strategjik në rajon.

Mund t’i konsideroni ata…
Kemi vendosur Italinë, Greqinë, Austrinë dhe Turqinë.

Mund t’ju konsiderojë juve establishmenti në Turqi si një njeri me kontakte, ndjeshmërira gyleniste?
Thuaje troç, përveç Brazilit çfarë skam dëgjuar për veten. Që jam i Soros-it, që jam i amerikanëve, që jam i Gylenit, që jam i grekëve, që më ka sponsorizuar Greqia për punën e detit. Të gjitha këto i kam dëgjuar. Por çfarë kontaktesh?

P.sh. në Nju Jork ju i keni takuar këta njerëz për shembull? Jeni ulur?
CV-ja ime është publike. Ku jam shkolluar, ku nuk jam shkolluar, çfarë trajnimesh kam bërë, çfarë institucionesh kam punuar.

Si e shihni ju qeverisjen e Erdoganit si ministër i Jashtëm?
Po t’i kisha kontaktuar këto grupe nuk diskutohet që do të isha në një mbikëqyrje të rreptë qoftë i shërbimit sekret amerikan që e ka për detyrë që kur shkon një zyrtar i lartë i nivelit të ministrit të Jashtëm të jetë kudo pullë poste..

E gjithë ideja është që ju nuk jeni spiun. Kjo nuk diskutohet. Megjithatë se çfarë ka ndodhur në Brazil akoma nuk dihet.
Edhe aty kushdo që njeh pak shtetin e di që në të gjitha vizitat jashtë shtetit Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashtëm, kanë një protokoll shumë strikt dhe pak a shumë je i burgosur në sensin që e ke kuadratin e mirëpërcakuar se ku lëviz.

Se unë e përmenda Dacicn qëpar i cili nuk e di pse më ngjan pak, duke marrë nga serbishtja kanë një shprehje në Kosovë që i thonë “Mangupski” si me thënë. Merrni ju këtë ndjesi në raportet individuale me të?
Çfarë pret që të them?

Ju mund të buzëqeshni dhe ne na mjafton. Në fakt a i ka fituar betejat diplomatike Serbia në lidhje me shqiptarët?
Absolutisht jo. E para nuk duhet të harrojmë në asnjë çast…

Ju e keni takuar djalin e Soros-it kur erdhi në Shqipëri?
E kam takuar. E kam takuar kur erdhi në Shqipëri, e kam takuar..

Pse duhet ta takonit? Pse ishte ai aq seksi që ministri i Jashtëm të jetë aq kurioz për të e ta takoj djalin e Soros-it në Shqipëri.
E para e kam thënë unë nuk jam Lulzim Basha që me shef bursën e studimit që kam marrë nga Sorosi edhe pse unë nuk kam marrë asnjë bursë studimi nga Sorosi. Unë kam marrë në momente të ndryshme të aktivitetit tim mbështetje nga fondacioni Soros dhe do të ishte shumë e vështirë të gjeje një shqiptar që mos të ketë qenë i mbështetur disi.

Meqë gjete një që nuk ka pasur fare me asnjë lidhje dhe fare me asnjë mbështetje tregon që mund ta kishit bërë edhe ju.
Dakord. Por vështirë që mund të gjejë te bota e medias, OJF, politikës etj, etj një njeri që mos të jetë marrë qoftë edhe një mbështetje modeste për sponsorizimin e një udhëtimi, një Konferencë apo një aktivitetet të caktuar etj, etj.

Pra jo gylenist, jo spiun i rusëve, rusëve jo e jo?
Këtë se kam dëgjuar, por s’sështë çudi të dali edhe kjo. Zotëria në fjalë përveçse është djali i Sorosit…

Do ta mbajmë ministrin edhe shumë pak minuta sepse nuk mund ta lëshoj se jep intervista shumë rrallë dhe ndërkohë ne po bëjmë një “bodyback” le të themi me ritëm.
Është President i Open Society Institute, Open Society si organizatë ka mbështetur disa nisma në Shqipëri, në këtë kapacitet kam pritur edhe shumë të tjerë.

Është prezent në një ndarje të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, për ndoshta një pozicion që nuk e kuptoj akoma të Shqipërisë në një situatë të mëvonshme?
Mua nuk më ka rezultuar.

Ai i bën fotot me Kryeministrin me thënë të drejtën nuk është se ka bërë ndonjë foto me ju.
Natyrisht që ka një interes për të kuptuar shumë më tepër se çfarë ndodhe në Shqipëri, në Serbi në të gjithë rajonin. Mund t’ju them që para shumë kohësh për herë të parë kur unë kam lexuar për zonën e lirë ekonomike George Soros-i ka qenë ai që ka ardhur apo ka dal me idenë e guximshme për krijimin e një tregu të përbashkët që edhe sot e kësaj dite ne nuk po e krijojmë dot në Ballkanin Perëndimor. Prandaj në këtë kontekst unë i kam parë si diçka krejt normale te gjitha kontaktet jo thjesht me këtë organizatë por edhe me organizata të tjera që në fund të ditës kanë pasur një zë në zhvillimet demokratike në të gjithë rajonin tonë.

Pyetja e fundit. Protesta nuk është protestë specifike, arsimi, platforma, reforma e arsimit të lartë është kundërshtuar jashtëzakonisht fort por ka ndeshur më një arrogance jashtëzakonisht për hir të së vërtetës të pushtetit i cili në momentin që dëshiron ta bëjë një gjë, ose kur ka një disrigardë për ligjin siç presupozohet të ka mendimet tanimë të konsoliduara në raport me kryeministrin i cili dëshiron ta ndryshojë ligjin brenda natës, nuk e vlerëson, prish një gjë, ndryshon ligjin, bën një gjë tjetër. Kjo protestë është një lakmus për një gjendje të përgjithshme të pakënaqshme të popullatës. Zoti Ministër i Jashtëm dhe anëtar i Asamblesë së maxhorancës, i Kryesisë akoma më mirë. Si mund të ketë kjo maxhorancë këtë nivel të lartë naiviteti për mos ta parë realitetin në sy? Kjo është pyetje totalisht private, zëre se jemi takuar në lagjen tonë të vjetër domethënë jemi takuar në rrugë dhe unë do të thoja realisht këtë gjë Where are you going?

E para më lejoni thjesht të saktësoj që kur ne përgatisnim ligjin për arsimin e lartë, miratimi i këtij ligji nuk është bërë brenda një nate. Kujtoj këtu njerëz si Arjan Gjonçaj i cili është lektor në London School of Economics.

Kam ndjesinë që është kundër me këtë që po ndodh tani.
Ka njerëz si Myftar Barbullushi dhe për të vazhduar me emra të tjerë.

Jam i bindur që Barbullushi është totalisht kundër me këtë që po ndodh tani.
Ishin të gjithë njerëz që punuan në grupin e punës për të prezantuar këtë që sot e quajmë ligji i arsimit të lartë.

Ju ministër nuk do jeni më.
Po nuk ka rëndësi kjo a do jem unë a s’do jem unë ministër, unë kam qenë vetë student çfarë rëndësie ka a do jem a s’do jem ministër.

A mund të themi që nuk ka shkuar mirë?
Unë kam fëmijë që nesër duan të shkojnë në shkollë. Po natyrisht që nuk ka shkuar mirë, natyrisht që po kjo lloj gjëje, kjo gjë specifike për të cilën ne flasim nuk ka lidhje me arrogancën e qeverisë, sepse me këtë ligj i është dhënë një demokraci po i është dhënë vetëqeverisje universiteteve shqiptare. Po u marrë një rast unë kam bërë një pjesë të shkollës time në Holandë dekani i cili ka qenë supervizori im thoshte në Holandë ka një rregull të pashkruar një dekan apo një rektor nuk qëndron më shumë se një mandat në detyrë. E dini perse? Sepse sado prestigjioze është pozicioni i dekanit apo rektorit nuk u krijon atyre mundësi për tu fokusuar në çështjet që kanë të bëjnë..

Edhe unë jam dakord me ty. Një Kryeministër nuk duhet të qëndrojë dy mandate, një maxhorancë që nuk arrin dhe zhgënjen njerëzit nuk duhet të qëndrojë më shumë se një.
Nuk i zhgënjen maxhoranca njerëzit, atë e tregon kutia e votimit. Ju, unë, tjetri, tjetri kanë mundësi njëherë në katër vite.

Kemi një frikë të madhe që është blerë vota e shqiptarëve.
Po tani ju mund të keni këtë frikë por ky është vendi më i monitoruar nga të gjitha vendet e tjera po të doni të rajonit. Edhe njëherë po ju them kur vjen puna tek universiteti.

Bëni një fraze finale për ta…
Por s’më le ta them për universitetin se është shumë e rëndësishme.

Jo protesta e ka thënë të tërën, mjaftojnë tetë pikat, janë plotësisht të qarta.
Unë personalisht si ish-student dhe për hir të së vërtetës

Zoti ministër i jashtëm që shpresoj shumë të bëheni kryeministri i ardhshëm..
Tani kanë dal lloj-lloj njerëzish që kanë filluar të nxjerrin diploma. Edhe unë po ju them me modesti që kam mbaruar me medalje të artë.

Ju keni mbaruar me medalje të artë dhe jeni ministri i jashtëm i Shqipërisë. Ishte kënaqësi për mua që ju ishit në studio.
Do vij një ditë tjetër kur të më ftoni prapë.

Jeni i ftuar si në dasmat korçare, ne fillim dhe në fund.
Faleminderit!

Faleminderit juve!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb