SHKODËR- Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme Ditmir Bushati ka folur nga Shkodra ku ka vizituar të moshuarit për situatën në vend dhe përplasjet mes palëve.

Bushati shprehu inkurajimi për drejtësinë dhe institucionet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa ftoi opozitën të bëhet pjesë e procesit. Nga ana tjetër Bushati deklaroi se trillimet dhe shpifjet nuk i shërbejnë procesit të integrimit evropian.

“Situata politike natyrisht e bazuar mbi trillim edhe shpifje, duke përfshirë dhe Shkodrën nuk është një atmosferë që mund të krijojë terrenin e përshtatshëm për të ecur më shpejt në procesin e integrimit evropian. Nga ana tjetër më duhet të them që reformat që ju i referoheni janë më tepër kërkesë e vetë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, se sa e komunitetit ndërkombëtar. Detyrat tona janë të qarta. Duhet të vazhdojmë të luftojmë pa kompromis krimin e organizuar, duhet të intensifikojmë luftën kundër korrupsionit, duhet të vazhdojmë me shpejtësi procesin kirurgjikal që ka nisur në Pallatin e Drejtësisë, dhe kësisoj këto reforma jemi të bindur që do të krijojnë dhe një impakt pozitiv për sa i përket dhe ecurisë së vendit në procesin e integrimit europian”, nënvizoi ministri Bushati.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Shkodër në lidhje me rendin dhe sigurinë si dhe akuzat e opozitës, Ministri Bushati u shpreh “besoj se duhet të tregohemi të gjithë të duruar me opozitën që ka humbur besimin te vota, besimin tek koncepti alternativ ndaj qeverisë dhe për sa kohë e ka humbur këtë besim nuk është se do të presim ditë më të mira në këtë drejtim. Thjesht shpreh keqardhjen time më të madhe për nivelin e debatit për shpifjet që tentojnë të helmojnë hapësirën publike. Nga ana tjetër dua ti bëj thirrje të gjithë institucioneve të shtetit të së drejtës të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit dhe kundër korrupsionit. Shpresoj që dhe opozita të bëj të njëjtën gjë”, tha ministri Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb