Analisti Andi Bushati i ftuar rubrikën “Opinion” në “News 24” dha një mendim në lidhje me tabelat në greqisht në jug të vendit, të cilat u hoqën nga policia në mbrëmje, por më pas Rama “ndryshoi mendje” e tha se do të rivendosen.

Bushati u shpreh se Rama tha se tabelat do të rivendosen në dy gjuhë, pas presionit nga Athina zyrtare. Ai përmendi intervistën e dhënë nga ana e ministrit të Jashtëm  grek dje, që kishte folur për krimin nën qeverisjen e Ramës. Për Bushatin, Athina ia gjeti “thembrën e Akilit” Ramës dhe prandaj kryeministri u tërhoq.

“Policia fillimisht hoqi tabelat, kurse Rama doli e tha se ata do të rivendosen, por se shqipja do të jetë gjuhë që do të duket më së tepërmi, pastaj greqishtja. Kjo deklaratë e Ramës erdhi menjëherë pas intervistës së dhënë nga ministri i Jashtëm grek. Numri një i diplomacisë helene, si rrallë herë, mbrëmë përmendi edhe krimin nën qeverisjen e Ramës. Kjo qeveri e di ku i dhemb. Athina ia gjeti ‘Thembrën e Akilit’ qeverisë shqiptare. Rama u detyrua për rrjedhojë të tërhiqet dhe të rivendosë tabelat”, tha Andi Bushati.

Analisti Bushati theksoi se diplomacia greke është përpara asaj shqiptare në tryezë, kurse shtoi se Rama bën vetëm propagandë anti-greke.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb