TIRANË

Deputeti socialist Ervin Bushati ishte i ftuar sot në News24 në rubrikën “Opinion” për të folur për zhvillimet e ditës dhe ngërçin politik për shkak të mungesës së opozitës.
Bushati tha se opozita nuk mund të thotë se votat u blenë dy vite pasi janë zhvilluar dhe ndërkohë që janë certifikuar nga institucione ndërkombëtare.

“Dhe po të ishte i vërtetë shkon tek qytetarët dhe e vendosin ata. Nuk thuhet dy vjet pasi ndodh, ndërkohë që OSBE-ODIHR, SHBA-të KiE kanë shkruar që këto jo vetëm ishin zgjedhjet më të mira por nuk kishin asnjë rast të regjistruar në prokurori, kur kanë pasur dhe ministrinë e Drejtësisë, këto janë të gjithë argumente të thëna. Mund të dalë nesër dhe një përgjim në Angli dhe çfarë do të thotë kjo, do të bjerë sistemi aq më tepër që nuk është provuar as në gjykatë. Ja dhe po ka ndodhur, ata që mund të jenë për t’u dënuar do dënohen nga drejtësia”, u shpreh Bushati.
Sipas tij, kjo nuk është një çështje e vendimmarrjes politike. “Mund të dalin shumë përgjime nesër, çfarë do të thotë kjo që gjithçka që ka ndodhur do rikthehet mbrapsht, ndërkohë që ta kanë thënë të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që ne i njohim për partnerë, në qoftë se pastaj zotit Basha i flasin në vesh Rusia apo ndonjë shtet tjetër nuk e di por partnerët tanë kanë thënë parlamenti është legjitim, debati bëhet në parlament. Institucionet janë të rëndësishme në demokraci”, deklaroi ai.

Bushati theksoi se mazhoranca është në sinkron me partnerët ndërkombëtarë. “Ne duam të shkojmë përpara. Të vazhdojmë me një kod elektoral i cili është i gjithi i financuar me ekspertizën e Bundestagut dhe OSBE-ODIHR, i sinkronizuar, ka qenë i sinkronizuar dhe me PD. Ne do duhet të ruajmë një parim kryesor, pushteti dhe vota është ajo që cakton kush qeveris apo ndërrohet mbi tavolinë apo nën tavolinë me marrëveshje politike. Atë që na e keni dhënë ju, nuk ka të drejtë as zoti Rama, as Ervini, as Luli, as Berisha, asnjë tjetër ta shkëmbejë për marrëveshje politike. E zëmë se ne ramë dakord, a do jenë dakord qytetarët? Nuk janë dakord qytetarët. Është e rëndësishme të ruhet një parim bazë që vota kur jepet është një herë në katër vjet, ka një përgjegjshmëri. Mund edhe të gabojë elektorati, mund edhe të gabojë kryeministri, për këtë arsye përsëriten pas katër viteve zgjedhjet. Por nuk mund të vendoset një precedent që nuk është bërë në asnjë vend të botës. Prandaj ne po tregohemi fleksibël”, u shpreh Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb