I ndodhur në Shkodër, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka komentuar zgjedhjet që do mbahen nesër në Tuz të Malit të Zi ku për herë të parë Tuzi fiton statusin e komunës së pavarur.

Bushati e cilësoi këtë një lajm shumë të mirë për shqiptarët atje. Koalicioni “Malësia na bashkon”, sipas tij fuqizon statusin e shqiptarëve në Malin e Zi.

“Së pari është një kënaqësi e madhe për ne që shqiptarët janë të bashkuar në zgjedhjet për drejtimin e komunës Tuz. Kujtoj këtu që janë bërë shumë përpjekje të shkuara në radhë të parë për të siguruar statusin e pavarur të komunës dhe administrimin e pavarur të saj nga Podgorica. Së dyti, koalicioni “Malësia na bashkon” shpresoj që të jetë një premisë e mirë, jo vetëm për zgjedhjet që zhvillohen nesër në Tuz, po mbi të gjitha për të fuqizuar më tej statusin e shqiptarëve në Malin e Zi. Sepse ju e dini shumë mirë që shqiptarët në Malin e Zi ishin një forcë përcaktuese për pavarësinë e Malit të Zi, për kursin euroatlantik dhe janë një urë solide e miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi”,- tha Bushati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb