TIRANE – Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e 21-të të Këshillit të Ministrave të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, i cili u zhvillua në Bazel të Zvicrës në datat 4-5 dhjetor 2014. Në fokus të këtij Ministerali janë kryesisht zhvillimet më të fundit në Ukrainë, roli i OSBE-së në ç’tensionimin e gjendjes atje si dhe situata e sigurisë në Evropë.

Gjatë fjalës së tij në Ministerial, Ministri Bushati u ndal në rolin që duhet te luajë OSBE-ja në respektimin dhe nxitjen e të drejtave të bashkëkombësve tanë në rajon si dhe në afrimin e Kosovës me organizatën.

Ai u shpreh se: “Ne besojmë fuqimisht se Kosova duhet të ketë vendin e saj në OSBE, si pjesë e rëndësishme e përfaqësimit të saj në organizmat rajonal dhe ndërkombëtar, pasi kjo do të rriste efikasitetin e vet Misionit të OSBE-së në Kosovë”.

OSBE-ja, si një forum gjithëpërfshirës i sigurisë, u mundësoi përfaqësueseve të nivelit të lartë të shkëmbejnë ide për të përforcuar edhe më tej bashkëpunimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve përballë sfidave të reja që prekin dhe cenojnë sigurinë Evropiane dhe më gjerë.

Gjatë Ministerialit u evidentua roli që OSBE-ja dhe institucionet të saj të monitorimit luajnë në Evropë në respektimin, konsolidimin e të drejtave të barabarta të të gjithë shtetasve pavarësisht vendit ku jetojnë si garanci e sigurisë së përbashkët.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati gjatë qëndrimit në Bazel, do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologë të vendeve pjesëmarrëse në Ministerialin e OSBE-së me qëllim trajtimin e disa çështjeve me interes të ndërsjellë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: