TIRANË

Analisti Andi Bushati i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, ndërsa u ndal edhe tek Samiti i Berlinit, i cili mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi aspiratat e tyre dhe për çështjet e nxehta. Ai tha se opozita shqiptare është e pafuqishme të veprojë përmes alternativës  së “mosbindjes civile”, ndërsa shtoi se Bashës dhe aleatëve të PD-së iu duhet një platformë për të fituar besimin e shqiptarëve.

“Opozita e ka humbur në një farë mase fuqinë goditëse të asaj që quhet bindja civile. Kjo tregon se kemi një opozitë me muskuj të dobët. Në 30 vite demokraci kemi një anomali. PD ka patur banditët e saj ashtu edhe PS ka pasur banditët e saj. Me mosbindje civile nuk mund të themi se ia ka arritur qëllimit. E vetmja gjë  që është bindëse, është që tani opozita duhet  të japë një platformë.  Pjesën e denoncimit e ka kryer. Për pjesën e dhunës për mosbindje civile është e pafuqishme ta bëj. Pluraliteti i mendimeve dhe  ideve, është gjë e mirë. Ky sistem për mua është i destinuar të degradojë. Rilindja po i shkon sot të keqes deri në fund.  Ndryshime kushtetuese në vetëvete nuk janë tabu, por kushtetuta jonë është arnuar disa herë.  Por ne kemi ndryshime kushtetuese si ato të 2008 se në vend që ta çonin vendin para, ato e çuan prapa”-tha Bushati.

Gjithashtu Bushati nënvizoi faktin se Samiti i Berlinit prodhoi dy lajme të këqija për Shqipërinë dhe një lajm të mirë për Kosovën.

“Samiti i Berlinit pati tre lajmë të mëdha për Shqipërinë. Lajm i keq është që prap ne nuk marrim negociatat. Lajmi i dytë i keq, është që jo vetëm nuk marrim negociatat, por kriminaliteti shqiptar dhe lidhjet me qeverisjen në Tiranë, jo vetëm konfirmojnë sinjalin e Hollandës, por u morën shembull nga Macron që edhe Kosovës nuk i duhen hequr vizat se bëhet pastaj si Shqipëria. Lajmi i tretë, i cili u tha nën rreshta dhe duhet lexuar në filigram, është se aksi franko-gjerman, varrosi idenë e ndryshimit të kufijve dhe coptimit të Kosovës”-tha Bushati.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb