TIRANË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti në ambientet e MEPJ delegacionin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit në Shqipëri, të kryesuar nga Ambasadori Peter Tejler.

Ministri Bushati falënderoi misionin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR i cili monitoroi zgjedhjet në Shqipëri, me ftesë të qeverisë shqiptare, si dhe punën e bërë prej tyre për përgatitjen e raportit përfundimtar.

Ai i cilësoi zgjedhjet e 25 qershorit si zgjedhjet më të mira të zhvilluara në periudhën e pas tranzicionit, ku klima politike e krijuar me marrëveshjen midis dy drejtuesve të forcave kryesore politike në vend, krijoi kushtet e duhura, jo vetëm për përfshirjen e opozitës në këto zgjedhje, por edhe për standarde më të larta të tyre.

Bushati me OSBE-ODIHR (2)

Ministri Bushati i bëri me dije delegacionit të OSBE/ODIHR, se forcat politike në Shqipëri kanë shprehur vullnetin e tyre për të zhvilluar një reformë zgjedhore të thellë dhe të gjithanshme në vend, për çka kanë ngritur edhe komisionin e posaçëm parlamentar për zhvillimin e kësaj reforme.

“Është me interes që fryma e konsensusit politik për reformën zgjedhore të vijojë deri në realizimin e saj, në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore”. Ministri Bushati përshëndeti edhe nismën e BE-OSBE/ODIHR për zhvillimin e një reforme të sistemit zgjedhor në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, çka do t’i shërbejë edhe reformës së nisur në Shqipëri.

Ambasadori Tejler falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e dhënë në përmbushjen e misionit të tyre të vëzhgimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri si dhe për mundësinë e krijuar për prezantimin e raportit final të OSBE/ODIHR.
“Ne e vlerësojmë,- tha ai,- zhvillimin e debatit në vend për përmirësimin e sistemit zgjedhor, ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për zgjedhjet, për të ndërmarrë reformën e duhur zgjedhore, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR”. Ambasadori Tejler u shpreh se OSBE/ODIHR është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë aktorët në Shqipëri për realizimin e reformës zgjedhore në vend.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: