“Nazifashizmi merr forma të ndryshme në kohë të ndryshme duke prodhuar një rezultat të ngjashëm”, shkruan mes të tjerash në një status në Instagram ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, për të treguar dhe rrezikun aktual të saj.

Duke përkujtuar Ditën e Çlirimit, Bushati thotë se gjaku dhe idealizmi i atyre që dhanë jetën për liri shërben si kujtesë dhe paralajmërim për rrezikun e këtyre antivlerave, përçarja e komuniteteve dhe rrënimin e vlerave të solidaritetit njerëzor.

Ministri i Jashtëm sjell në vëmendje “Natën e Ustikës” të Petro Markos dhe “Fashizmi” e Madeleine Albright ku ai thotë se tashmë i kemi mësuar shenjat e fashizmit dhe pasojat e tij.

“Nga ‘Nata e Ustikës’ e Petro Markos, deri te ‘Fashizmi’ i Madeleine Albright, nga një cep i botës perëndimore që luftoi krah për krah kundër nazifashizmit te tjetri, duhet t’i kemi mësuar tashmë shenjat e manifestimit të fashizmit e pasojat e tij. Më 29 Nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë duke u renditur në krahun e shteteve fitimtare të botës së lirë. Gjaku dhe idealizmi i atyre që dhanë jetën për liri shërben si kujtese e paralajmërim se nazifashizmi merr forma të ndryshme në kohë të ndryshme, duke prodhuar një rezultat të ngjashëm: përçarjen e komuniteteve dhe rrënimin e vlerave të solidaritetit njerëzor. #29Nëntor1944 #LiberationDay”, shkruan ministri.

Bushati ka zgjedhur këtë ditë për të vizituar shqiptarët në Plavë dhe Guci, në një vizitë zyrtare që ka nisur atje.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme ka nisur sot një vizitë në komunat Plavë dhe Guci, në Malin e Zi.

Bushati do të takohet me Kryetarët e forcave politike që përfaqësojnë shqiptarët dhe të zgjedhurit e tyre në këshillin bashkiak të Plavës dhe Gucisë dhe do te inagurojë ambientet e reja të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb