Një valë e fortë kritikash ka shpërthyer pas dy intervistave që Eni Vasili dhe Blendi Fevziu i morën pothuajse njëkohësisht vajzës së përdhunuar Xhisiela Maloku. Që nga kryeministri Rama, kolegë gazetarë e deri ndjekës të sëmurë të rrjeteve sociale, e kanë etiketuar si linçim atë që ndodhi mbrëmjen e së hënës. Argumentat që shtrohen janë disa. A duhej nxjerrë me fytyrë? A duhej insistuar për ta provuar si gënjeshtare, ndërkohë që kuptohej se ajo ishte peng? A duhej treguar empati ndaj një viktime përdhunimesh sistematike? A duhej pranuar ajo intervistë, ndërkohë që dihej mirë kush e pilotonte Xhisielën? Në fund të fundit, a duhet të paranojë një gazetar ta bëjë publik mesazhin e një të reje që nuk mund të thotë të vërtetën e saj, por alibinë e atyre që duan të shpëtojnë të burgosurin e saj që ndodhet në burg?

Të gjitha këto pikëpyetje konvergojnë në një pikë, se Xhisiela Maloku nuk duhej përdorur si mish për top në garën e shfrenuar mes dy TV-ve më të mëdha të vendit.

Duke mos qenë një admirues i mënyrës se si e ushtrojnë gazetarinë televizionet tona, duke i përbuzur shpesh një pjesë të emisioneve që më shumë sesa të vërtetën kanë si synim audiencën dhe fluksin e parave që sjell ajo, duke e ditur se mediat e mëdha më shumë sesa publikut i shërbejnë një kaste të reduktuar, pa pyetur për njerëzit e zakonshëm, dua të këmbëngul, se të hënën në mbrëmje, si Eni dhe si Blendi, e bënë punën e tyre.

Për të mbërritur në këtë përfundim nuk ndihmon vetëm krahasimi me intervistën e neveritshme të disa ditëve më parë në Report TV, kur vajza u pyet vetëm për të shfajësuar xhelatët e saj. Ajo ishte turpi i gazetarisë dhe nuk mund të shërbejë si pikë referimi për të “shpëtuar” asnjë nga emisionet që u bënë më pas.

Por, unë mendoj se “Open” dhe “Opinion” nxorën një të vërtetë të madhe.

Ndërkohë që deri në atë pikë debati po zhvillohej nëse ishte masakruar apo jo Xhisiela, nëse ajo e kishte tërhequr denoncimin me vullnet të lirë apo me frikë, nëse përdhunimi i saj vazhdonte edhe tani apo ai kish përfunduar me bërjen publike të historisë, pas daljes së saj në të dy emisionet, nuk ka më asnjë dilemë.

Ajo dëshmoi se vazhdon të jetë një vajzë e dhunuar që përsërit dëshpërimisht në studio versionin e xhelatëve të saj.

Fakti se ajo detyrohet të pohojë që shenjat e cigareve të djegura në kofshë, i ka bërë me dorën e saj, flet shumë.

Fakti se ajo gënjen duke thënë që hematomat në trup i ka nga një aksident me makinë (kur ekspertiza mjeko ligjore pretendon të kundërtën), gjithashtu.

Fakti se asaj shpesh i thahej goja dhe mezi kapërdihej teksa thoshte se ishte e gatshme të shkonte në burg, për një denoncim të rremë të kryer si pasojë e xhelozisë, e nxori zbuluar skenarin e shëmtuar që kishin përgatitur pengmarrësit e saj.

Duke i shtuar këtyre edhe gjëra tashmë të thëna, si faktin se kush e dërgoi atë nëpër emisione dhe cilët qenë ata që e ndryshuan versionin e saj nga rrëfimi i parë në “Open”, deri në thëniet e dyta në “Opinion”, del qartë se e vërteta qëndron në deponimet që Xhisiela ka bërë në polici dhe jo në versionin që detyrohet të shpërndajë sot nën kërcënimin e pengmarrësve të saj.

Pra në këtë pikë të dy emisionet e transmetuara të hënën i bënë një shërbim të vërtetës. Ata qartësuan publikun për variantin që duhet të besojë.

Por, dilema e dytë është: a duhej arritur kjo përmes pyetjeve të “pamëshirshme” ndaj Xhisielës? A nuk kalonte kjo e vërtetë përmes një dhimbjeje të madhe njerzore? A nuk duhej lënë kjo vajzë e mjerë në gënjeshtrën e saj e cila ndoshta e mbronte nga përdhunuesit më mirë sesa e vërteta? A nuk duhej që në këtë rast empatia të triumfonte mbi sensin e së drejtës?

Të shtruara kështu këto dilema mund të ngjallin emocione. Por po të fusësh pak në punë logjikën përgjigjja është e qartë.

Jo, Xhisiela nuk duhej lënë të gënjente. Alibia e saj duhej demaskuar, sepse ai qe versioni që i kishin servirur përdhunuesit. Varianti i tyre duhej zhbërë sepse ai qe i vetmiqëe mbante ende peng 25 vjeçaren.

Për sa kohë Xhisiela do të vazhdojë të përsërisë alibinë e masakruesve, të saj ajo do të vazhdojë të mbetet peng i tyre. Sepse ajo ashtu i duhet. E trembur dhe e kanosur i shërben atyre më mirë. Ndërsa duke grisur këtë vello të rreme, ajo fiton lirinë reale dhe bashkë me të edhe të vërtetën.

Në këtë kuptim zbardhja deri në fund e ngjarjes reale, një pjesë të së cilës e bënë Open dhe Opinion, nuk i ka shërbyer vetëm interesit publik por edhe vetë Xhisielës që ende detyrohet të thotë gënjeshtra.

Natyrisht, për të nuk qe e lehtë, përballja publike me fytyrë, evokimi i masakrave që kishte provuar janë një eksperiencë tmerrësisht e dhimshme për këdo. Por kjo dhimbje, sado e fortë, nuk kurohet duke e lënë në heshtje duke bërë sikur faktet nuk ekzistojnë. Përndryshe të gjithë protagonistet e lëvizjeve “Me too” dhe “Balance ton porc” do të kishin vazhduar të mbronin përdhunuesit e tyre. Por erdhi një moment që ato kuptuan se tragjedia nuk mund të lehtësohet përmes mashtrimit. Këtë mundësi i dhanë dy emisionet e së hënës Xhisielës. Pas tyre ajo nuk mund të jetë më një alibi për pengmarrësit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb