TIRANË

Analisti Andi Bushati e cilëson të pritshëm qëndrimin e zyrtarit të lartë amerikan Matthew Palmer, pas takimeve që pati në Tiranë. Në një analizë të bërë në studion e News24 në rubrikën “Opinion”, Bushati tha se u krijua një aureolë se Palmer do vinte për të zgjidhur krizën por se nuk pati asnjë ndryshim kursi dhe qëndrimi i tij ishte pa surpriza.

“Në fakt po ta shohësh në Tiranë dy-tre ditët e fundit u krijua një pritshmëri e rreme sikur për çfarë do vinte zyrtari i lartë amerikan dhe u krijua një aureolë se do zgjidhte krizën. Siç e thatë ishte një tur ballkanik. Nuk kishte ndryshim kursi, e njëjta linjë, dënimi i bojkotit, pjesëmarrje në zgjedhje, normaliteti vazhdon, qeveria legjitime. Nuk kemi asnjë surprizë, ishte gjë e pritshme. Sa herë ka kriza të këtyre përmasave në vende si Shqipëria, diplomacitë perëndimore duan një kohë dhe e marrin kthesën me vonesë. Jemi në një lloj stanjacioni. Mbështetje e atyre që janë në pushte dhe trysni tek opozita që të tërhiqet nga rruga radikale. Jemi në të njëjtën fazë të krizës”, deklaroi Bushati.

Lidhur me protestën e së shtunës dhe çfarë do ndryshonte ajo, Bushati tha se nuk beson tek surprizat dhe se aksioni opozitar është kthyer në rutinë. Sipas tij, ndryshimi mund të ishte vetëm tek zgjedhjet lokale. Ja si e shpjegoi ai.

“Nuk besoj se protesta do ketë një surprizë, aq më tepër në sensin afatgjatë për të ndërruar kurbën e krizës. Aksioni opozitar është bërë rutinor, jo pezhorative.
Pika që mund të përmbysë gotën nuk duhet parë tek protestat e përmuajshme por tek zgjedhjet lokale. Pra, çfarë do ndodhë me skenarin e zgjedhjeve lokale. Vetëm atëherë mund të shohim një reflektim, dhe nga maxhoranca, opozita dhe faktori ndërkombëtar”, deklaroi Bushati.

I pyetur se sa gjatë mund ta mbajë opozita presionin e ndërkombëtarëve, Bushati preferoi të vinte përballë situatës së krijuar maxorancën. Ai tha se opozita nuk ka asgjë për të humbur kurse palët që janë në lojë janë ato që mund të humbin.

“Sa do mundet qeveria maxhoranca të përballohet me këtë situatë. Opozita po goditet fortë nga komuniteti ndërkombëtar, si SHBA dhe BE. Një sondazh tregon se opozita paska ngritje. Pra, jo vetëm Basha dhe Berisha por dhe mbështetësit e opozitës qenkan shurdhë ndaj mesazheve të ndërkombëtarëve. Pra nëse ke përkrahje, zerohen apelet e ndërkombëtarëve. Në këtë pikë duhet të ndryshohet mesazhi ndërkombëtar. Opozita nuk ka më ç’të humbë. Çfarë të humbin kanë të gjitha palët që janë në lojë”, deklaroi Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb